Monedha e përbashkët ka shënuar sërish rritje ditët e fundit, duke rikuperuar pas rënies që shënoi në pjesën e parë të javës së kaluar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.59 lekë, duke u rritur me 0.38 lekë në raportin me fundin e javës së kaluar. Në tre ditë euro u forcua me 0.71 lekë, pas rënies me 1.69 lekë që shënoi nga data 14 deri në 17 janar.

Ndërsa në datën 11 janar, euro u ngjit në nivelin më të lartë që nga fillimi i tetorit, duke arritur në 125.57 lekë. Këto luhatje të mëdha ekspertët valutorë i shpjegojnë me transaksionet e mëdha të shit-blerjeve në valutë, që kanë qenë në nivele të tilla që kanë arritur të shkaktojnë luhatje të mëdha të kursit.

Aktorët e tregut pohojnë se rritja e euros ka ardhur si rrjedhojë e faktit që bankat, sidomos ato të mëdhatë, kanë qenë aktive në këtë periudhë për blerjen e valutës, çka ka ndikuar në forcimin e monedhës së përbashkët.

Megjithatë, pritshmëritë për një rritje të vazhdueshme të euros mbeten të pakta. Aktorët e tregut pohojnë se oferta në euro vijon të jetë e lartë dhe kërkesa për të e dobët, ndërkohë që dhe qarkullimi i parasë vendase është i ulët. Në 2018-n, monedha e përbashkët u zhvlerësua me gati 10 lekë, duke zbritur në ditët e fundit nën 123 lekë, niveli më i ulët në një dekadë.

LEXO EDHE:  Kursi i këmbimit valutor/ Ja me sa u këmbye euro sot

Aktorët e tregut presin që luhatjet të jenë sërish të mëdha edhe këtë vit. Ndërsa oferta është e lartë dhe kërkesa për valutë relativisht e dobët, priten disa zhvillime si transaksionet e shit-blerjes së bankave (që rrit kërkesën për valutë), konvertimi i kapitalit nga euro në lekë (që rrit ofertën për valutë), apo dhe nxitja për të shpërndarë dividend nga kompanitë e huaja pas uljes së tij në nivelin e 8% (që rrit kërkesën për valutë, pasi kompanitë do transferojnë fitimin tek mëmat). Në këto kushte është praktikisht e pamundur të ketë një parashikim se si do të luhatet raporti mes euros dhe monedhës vendase përgjatë këtij viti. /Monitor