Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar takim në Korçë me qytetarët për t’i ftuar në protestën e 16 marsit në Tiranë.

Basha zhvilloi takime me biznesin e vogël nga ku theksoi se heqja e taksës Rama mbi naftën do të rrisë fuqinë blerëse dhe të ardhurat e konsumatorit.

“Ju të keni në dorë qeverisjen dhe qeveria të kujdeset për interesin e njerëzve. Kemi një qeveri që është shkëpur nga njerëzit. Nuk dëgjon njerëzit. Sa herë vij këtu, keq e më keq. Gjendja e biznesit ka ardhur duke u përkeqësuar. Do të heqim “Taksën Rama” mbi naftën me 300 lek që do të japë efekt të menjëhershëm tek biznesi dhe qytetarët.

Çdo familje që ka një makinë dhe harxhon mesatarisht. 100 litra naftë në muaj, kursen 30 mijë lek. Për biznesin e vogël, për një kamionçinë, kursimi shkon në 90 mijë lek në muaj, vetëm nga ulja e çmimit të naftës. Për biznesin e madh kursimi shkon deri në 700 mijë lekë të reja. Vetëm ulja e çmimit të naftës do të sjellë energji të reja në ekonomi. Do të ulë koston, do të rrisë fuqinë blerëse të qytetarëve do të rrisë çmimin dhe qarkullimin.

Ulja e çmimit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, vetëm një taksë 0.5% për biznesin, nuk bëhen realitet pa larguar qeverinë e kapur në vjedhje. Ulja e çmimit të energjisë për biznesin e vogël do të jetë 20%. Ulja e çmimit të energjisë do t’ju krijojë mundësinë që të mbani biznesin. Të punësoni edhe dikë tjetër dhe të mos mbyllni biznesin. Me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit do të klasifikohet si biznes i vogël.

Do të përjashtohet nga TVSH dhe do të paguajë vetëm një taksë lokale dhe qendrore bashkë. 0.5% të xhiros vjetore. Me këtë taksë do të shlyhesh të gjitha detyrimet ndaj shtetit. Do të vendosësh një pullë këtu në xham dhe prania e çdo inspektori do të konsiderohet e paligjshme. Këto masa i marrim për të përmirësuar klimën e biznesit si punësuesi më i madh. Ulje e çmimin të naftës, ulje të çmimit të energjisë dhe 0.5% taksë e xhiros vjetore. Pa larguar një qeveri që është kapur duke ju vjedhur ju asgjë nuk bëjmë dot. Më 16 shkurt qytetaria e Korçës të zbresë në Tiranë në protestë”, shtoi Basha.