Menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar Lulzim Basha doli në një konferencë për shtyp ku rikonfirmoi edhe njëherë se vendimi për djegien e mandateve qëndron dhe se është votuar pro, unanimisht nga të gjithë anëtarët e PD-së.

Ndër të tjera në konferencën për mediat Lulzim Basha numëroi edhe arsyet që sipas tij e bënë të merrte një vendim të tillë.

“Ju njoftoj me vendimin që grupi mori me votë unanime. Duke pasur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi për shkak të kapjes së qeverisë në flagrancë duke vjedhur votat e shqiptarëve si dëshmojnë dhe dosjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare, për shkak të kapjes në afera korruptive dhe kriminale, eliminimit të kuvendit, të gjykatës kushtetuese, Kushtetueses, kapjes së sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelor të lirive të shqiptarëve që kanë shkaktuar një situatë të paprecedentë, të krizës ekonomike, emigracionit, duke mbështetur zgjidhjen e ofruar nga opozita e bashkuar, të një qeveri tranzitore të gatshme për të ndërmarrë hapat e nevojshëm që do të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme, hapjes se negociatave në BE, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të parakohshme paralamentare vendosi unanimisht djegien e mandateve në kuvendin e dalë me votat e krimit de mafies, zgjedhjeve të manipuluara të 2017. Grupi autorizoi kryetarin e partisë të ndjekë hapat e mëtejshëm në përputhje me statutin e partisë”