Shkencëtarët amerikanë kanë propozuar një ide të mirë për ta luftuar ngrohjen globale. Ata thonë se kjo mund të bëhet duke shpërndarë elemente kimike në atmosferën e tokës, të cilat do ta dobësonin nivelin e rrezatimit nga dielli. Ideja është e bazuar në një kërkim shkencor të shkencëtarëve të Universitetit të Harvardit, i cili është publikuar edhe në revistën “Publikimet shkencore për mjedisin”.

Shkencëtarët kanë propozuar që luftimi i ngrohjes globale të bëhet përmes një procesi, të quajtur “injektim stratosferik”. Sipas tyre, kjo metodë do ta përgjysmonte efektin e ngrohjes globale. Kjo teknikë realizohet përmes shpërndarjes së sulfateve në pjesën e poshtme të stratosferës, në një lartësi prej 20 kilometrash.

Shkencëtarët propozojnë që shpërndarja e këtij materiali kimik të bëhet përmes aeroplanëve të veçantë që janë në gjendje të fluturojnë në lartësi të madhe, balonave ose armëve qitëse të flotave ushtarake.

Ndonëse aktualisht nuk ka teknologji të tillë për ta realizuar këtë plan, shkencëtarët thonë se duhet të ndërtohet një fluturake e veçantë për këtë qëllim. Është vlerësuar se një operacion i këtillë mund të jetë i realizueshëm pas 15 viteve dhe do të kushtojë rreth 2.2 miliardë dollarë për çdo vit. Sidoqoftë, ende gjithçka mbetet në nivelin e hipotezave.

Gjatë hulumtimit, shkencëtarët i kanë shqyrtuar edhe anët negative të këtij projekti. Për shembull, zbatimi i tij kërkon koordinim mes shteteve dhe nuk mund të kryhet nga një shtet i vetëm. Përveç kësaj, ky operacion mund t’i dëmtojë të mbjellat, të shkaktojë thatësi apo forma tjera ekstreme të motit, shkruan “CNN”.