Është i njohur preokupimi i prindërve për fëmijët që preferojnë më tepër të luajnë me videogames në vend që të dalin e të luajnë jashtë, ndërkaq që viti 2017 nuk ka ndihmuar në këtë drejtim, me daljen e konsolave më të sofistikuara si Nintendo Switch, PS4 Pro dhe, muajin e kaluar, Xbox One X.

Videogames janë bërë një “sëmundje” për shumë të rinj dhe Organizat Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po mendon t’ia heqë thonjëzat, duke e klasifikuar maninë e tepruar për to si problem të shëndetit mendor në azhornimin e vitit 2018 të Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve (ICD).

“Sa serioz është ky problem? Është një epidemi”, terapistja për martesat dhe familjen Paula-Jo Husack deklaroi për CBS San Francisco.

Ajo shton se përfshirja e manisë për videogames si sëmundje mendore duhej të ishte bërë me kohë dhe sa çrregullimi për lojërat është një problem i fshehtë por i shumëpërhapur.

Drafti i OBSH për ICD parashikon që çrregullimi për lojërat (gaming disorder) mund të diagnostikohet nëse mania e një personi për videogames “ka pasoja të rënda në funksionimin personal, familjar, social, arsimor, profesional dhe fusha të tjera të rëndësishme”.

Husack tha se simptoma të zakonshme te fëmijët e të rriturit përfshijnë izolimin social, kalimin e vështirë nga një mendim te tjetri, reduktim ndjeshmërie humane, humbje oreksi dhe humbje të perceptimit shqisor.

LEXO EDHE:  OBSH zbulon lidhjen e frikshme që ka varësia ndaj seksit me shëndetin mendor

OBSH thotë se këto simptoma zakonisht duhet të shfaqen për të paktën një vit para se doktorët të diagnostikojnë një rast të gaming disorder, por shton se diagnoza mund të bëhet më herët nëse simptomat janë të forta.

Lojtari Joshua Parrish deklaroi për kanalin televizv se gjithçka që merret në ekstrem mund të shkaktojë pasoja.

“Alkooli mund të konsumohet me tepricë, kazinotë, kumari. Gjithçka mund të shkojë në ekstrem”, tha ai.

Robert Figone është pjesëmarrës në turne videolojërash. Ai thotë se kjo është një formë e shëndetshme argëtimi.

“Unë marr pjesë në turne videolojërash. Është mendërisht stimuluese, por nuk më pengon për punët e përditshme”.

Zyrtarët e OBSH ende nuk e kanë marrë vendimin përfundimtar nëse mania e tepruar për videogames do të përfshihet në listën e ICD për 2018.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook