Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka vendosur të anulojë një tjetër vendim të paraardhësit të saj, Damian Gjiknuri.

Balluku ka kërkuar ndryshimin e vendimit për ndalimin e importit të makinave më të vjetra se 10 vite prodhim, duke ndikuar kështu në ndotjen e mjedisit. Prej janarit të këtij viti në Shqipëri nuk lejohet importi i automjeteve më të vjetra se 10 vite nga prodhimi.

Grupit të punës i është kërkuar nga Ministrja të rishikojë vendimin e dhënë prej paraardhësit të saj, duke favorizuar kështu tregtarët e makinave të vjetra e duke ndikuar njëkohësisht në ndotjen e mjedisit.

Propozimi vjen në një kohë kur Shqipëria renditet në vendet me nivelin më të lartë të ndotjes, madje disa herë më shumë se norma e lejuar prej Bashkimit Evropian.

Sipas një raporti të OBT, niveli i ndotjes është i barabartë me konsumin e 7 cigareve në ditë. Madje ekspertët shprehen se në Shqipëri 50% e ndotjes së mjedisit vjen si shkak i gazrave të automjeteve.

Në Tiranë numri i makinave për kilometër llogaritet të jetë më i madh se Amsterdami apo Berlini. Pikërisht në këto kushte u vendos që të ndalohej futja në Shqipëri e makinave të vjetra, duke kërkuar si kusht konsumin e euro 5. Kjo pasi një makinë e vjetër ndot 4 herë më shumë se një automjet i ri.