Si teknologjia, kjo shpikje e madhe e njerëzimit, ka prekur modele të ndryshme biznesesh në Shqipëri.

Disa prej tyre kanë rënë pre e saj dhe nuk mundën të mbijetonin, të tjera kanë pasur zhvillim të vazhdueshëm, të ndihmuar nga tre ‘www’ e famshme. Në mjedisin shqiptar, ai që ka parë zhvillim nga përdorimi i teknologjisë, është biznesi i shitjeve me pakicë dhe agjencitë e udhëtimeve. Ndërsa bizneset e dikurshme të DVD dhe CD kanë pësuar ndryshim total; print-i është një tjetër sektor ndër vite i rrezikuar…

Teknologjia ka bërë një rrugë të gjatë 50 vitet e fundit; kemi parë lindjen e internetit, rritjen e përdorimit të telefonave celularë ‘smartphone’ dhe lloje të tjera të elektronikës dhe pajisjeve të ndryshme, shumë prej të cilave ekzistojnë për shkak të internetit. Interneti mendohet të jetë një nga shpikjet më të mëdha që kemi parë ndonjëherë, i bën kaq gjëra shumë më të lehta dhe kjo pjesë vijon të përmirësohet. Pikërisht për shkak të gjithë teknologjisë së re, disa modele të vjetra të biznesit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike përgjithmonë, shumica e këtyre bizneseve vazhdojnë të lulëzojnë, por disa prej tyre janë në “fije të perit” ose kanë pushuar së ekzistuari.

Agjencitë e udhëtimeve

 

Turizmi do të jetë gjithmonë një industri e madhe, edhe me ndryshimet e shumta që ka parë ndër vite, sidomos me ardhjen e internetit. Në të shkuarën, mënyra më e lehtë për të rezervuar një udhëtim apo të zgjasje një udhëtim pune ishte patjetër përmes një agjenti udhëtimesh.

Në të kundërt do të duhet ta bëje vetë, gjë që kërkonte një kohë të konsiderueshme, në telefon apo të shkoje vetë, ku dhe shpesh planet nuk të rezultonin siç duhet. E gjitha kjo ka ndryshuar drastikisht. Website e udhëtimeve ju ndihmojnë që të rezervoni për pak minuta, kjo përfshin gjithçka: fluturimin, hotelin, makina me qira, e shumë të tjera, vetëm me një kartë krediti. Në disa vende në botë, kjo ka bërë që një pjesë e agjencive turistike të fillojnë të mbyllen.

Megjithatë, ka ende njerëz të cilët nuk janë komod në përdorimin e internetit për të tilla shërbime dhe u drejtohen agjencive.
Në një komunikim për “Monitor”, tre agjenci udhëtimesh në Tiranë, Union Travel, Matias Travel dhe Kalemi Travel, thonë se interneti ka pasur ndikim të menjëhershëm në këtë sektor në treg. Sipas tyre, një pjesë e të interesuarve, shpeshherë komunikojnë me kompaninë thjesht për t’u interesuar për një udhëtim dhe pjesën e rezervimit e kryejnë vetë. Infrastruktura e web ia mundëson lehtësisht këtë, pavarësisht se një pjesë e pushuesve janë klientë dhe u drejtohen agjencive për të zgjedhur udhëtimin e tyre, duke qenë se kjo e fundit del garant për të gjithë procesin.

Shtëpitë diskografike

Teknologjia ka ndryshuar biznesin e videotekave, pra marrjes me qira të videove dhe shumë dyqane video janë jashtë shërbimit prej vitesh. Videoja streaming është bërë jashtëzakonisht popullore dhe shumë njerëz zgjedhin të paguajnë për të transmetuar filma të rinj direkt nga shtëpitë, kompjuterët, tabletët dhe madje edhe nga smartphone-t. Biznesi i DVD-së është duke mbijetuar ende, por nuk është ai i dyqaneve me qira, janë kompani si Netflix që i kanë konkurruar fuqishëm.

Pirateria e filmave në internet ka dëmtuar gjithashtu videotekat dhe kinematë, pasi shumë filma dalin në internet menjëherë pasi ata mbërrijnë në kinema dhe miliona njerëz i shkarkojnë në mënyrë të paligjshme, për t’i parë falas në shtëpi.
Agim Halili, drejtuesi i Eurostar, një ndër shtëpitë diskografike që ka pasur lulëzimin më të madh në epokën e “CD dhe kasetave”, shprehet për “Monitor” se biznesi i tyre prej vitesh po përpëlitet në treg dhe në mënyrë të vazhdueshme po përpiqet që të kapet në të tjera forma që të mbijetojë.

“Teknologjia ka përparuar aq shumë, sa na la në pension. Nuk flitet më për prodhime CD dhe as më pak për shitje të tyre, ikën ato kohë. Prej disa vitesh kemi kaluar në produksione filmash, që të diversifikonim aktivitetin”,- thotë z. Halili.
Ekzistenca e YouTube, sipas tij, ka “shkatërruar” biznesin që dikur gjeneronte fitime të mëdha, por bëhet fjalë për 15 vite më parë, tani çdo gjë ka ndryshuar.

Problematika tjetër që nisi të japë sinjalet e një tregu në rënie ishte zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dhe rritja e aksesit në web.
“CD mund të kopjoheshin fare lehtë dhe brenda një çasti i gjen të hedhura në internet”, – tregon z. Halili. Ai shton se pirateria në tregun muzikor shqiptar, është ndër arsyet kryesore që i ka çuar shtëpitë diskografike drejt falimentit.

LEXO EDHE:  Shqiptarët i bëjnë lekët llaç e tulla, Europa teknologji e shpikje

Industria muzikore

Gjatë 20 viteve të fundit, kanë ndodhur shumë ndryshime në industrinë e muzikës, së pari ishte CD-ja që zhduku kasetat e dikurshme dhe, në 10 vitet e fundit, CD-të filluan të shuheshin për shkak të shkarkimit të MP3 dhe asaj të muzikës dixhitale. Industria muzikore është një ndër sektorët që pësoi ndryshimet më të mëdha, për shkak të avancimit të teknologjisë.

Një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet industria e muzikës janë kopjet e piratuara të albumeve që miliona njerëz i marrin në faqet pirate të internetit, shpesh muaj përpara se albumet të publikohen në të vërtetë, dhe faqet e torrenteve janë ndër më të njohurat për këtë lloj aktiviteti. Kjo është një kauzë që luftohet fort kudo në botë.

Andi Islami, menaxheri i Three Dots Production, një ndër shtëpitë e produksioneve kryesore në vend, shprehet se interneti ka ndikuar në çrregullimin balancave të tregut, duke vështirësuar punën e producentëve, dhe duke ulur fitimet. Z. Islami pohon se sfida më e madhe për industrinë tonë muzikore është ndërtimi profesional i tregut, për të cilën do të duhen të bëhen shumë hapa.
Sipas tij, teknologjia ka sjellë atë që muzika të fokusohet online: te download ose streaming service, të cilët e bëjnë më të lehtë shpërndarjen në një treg të gjerë audience. “CD tashmë ka më tepër statusin e një ‘gadget’, dhe besoj se me kalimin e kohës, vetëm një numër i vogël njerëzish do të dëshirojnë të koleksionojnë këto vepra”,- pohon z. Islami.

Sipas tij, platforma VEVO, jo vetëm po ndihmon në rritjen e të ardhurave online për produksionet, por në të njëjtën kohë i jep këngëtarit e producentit një status e përfaqësim dinjitoz.

Shtypi i shkruar

Gazeta vdiq, jetë të gjatë gazetarisë! Kjo shprehje ka qarkulluar shumë në web vitet e fundit, sidomos me kërcënimin që hasi printi kudo nëpër botë.
Industria e gazetave është një nga bizneset që po dëmtohet më tepër nga teknologjia e re, pasi shumë njerëz marrin falas të gjitha lajmet e tyre në internet.

Disa prej kompanive më të mëdha të gazetave kanë zgjedhur të hapin një faqe web. Disa prej tyre i ofrojnë lajmet pa pagesë, por njëkohësisht fitojnë para në faqet e tyre nëpërmjet reklamave. Një pjesë e tyre ofrojnë lajme të tjera nëpërmjet abonimeve me parapagim.

Fanatikët e print nuk e pranojnë “kërcënimin” që teknologjia shfaqi, përkundrazi, ashtu sikurse kudo në botë, edhe në Shqipëri, pjesës më të madhe e mediave kryesore print iu shtua edhe një version online i tyre. Ishte një hap i domosdoshëm dhe i pashmangshëm në vrullin e teknologjisë, mosprania në web të “përjashton” dhe “lufta për klikime” bëhet më e fortë.

Rreth tre vite më parë, një ndër gazetat kryesore në tregun shqiptar, Gazeta “Shqip”, lajmëroi mbylljen. Por versioni online vazhdon të operojë në treg, por me një staf të reduktuar prej vetëm 4 personash.
Erjon Abule, kryeredaktor i Shqip Online, thotë për “Monitor” se një media online ka avantazhet e veta, në përcjelljen e lajmit në kohë reale, shpejt. Ruajtja e standardit që Gazeta “Shqip” ka pasur si print edhe në këtë version, me profesionalizmin e lajmeve, e ka bërë që të arrijë më tepër ndjekës në rrjetet sociale, diçka që teknologjia ta ofron. Megjithatë, z. Abule shton se print kishte një staf më të madh dhe ishte shpesh burim furnizimi lajmesh më ekskluzive dhe të detajuara për web.

Ekspertët tregojnë se përparësia e një media online ndaj asaj tradicionale print qëndron në koston e ulët. Krijimi i një faqeje kushton jo më shumë se 500 dollarë. Ata sjellin në vëmendje edhe reklamimin, si një element që duhet marrë në analizë. Gazetat në versionin e tyre në print kanë një treg më vete, ndërsa faqet e internetit janë më të vlefshme dhe burim i rëndësishëm për reklamime. Rrjetet sociale kanë sjellë konkurrencë reale për median tradicionale, pasi njerëzit i shohin si alternativa ndaj dhe nuk e kanë të domosdoshme të lexojnë një gazetë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook