Përzgjedhja e ngjyrës së vitit është një ngjarje e shumëpritur për të gjithë ata që duan të ideojnë shtëpinë ata që ndjekin trendet e fundit të modës apo të apasionuarit pas ngjyrave.

Kompania Pantone, një autoritet global sa i përket ngjyrave dhe bojrave me udhërrëfyesin më të madh e të shfrytëzueshëm për bizneset e ndryshme ka shpallur blunë klasike si ngjyra e vitit 2020.

Kjo ngjyrë klasike është përkufizuar si ofruese e qetësisë, vetëbesimit dhe nxitëse e ndërveprimit njerëzor.

Sipas Pantones, kjo ngjyrë është gjërësisht e preferuar në mbarë globin.

“Ngjyra blu klasike përçon paqe, strehë dhe qetësi për shpirtin njerëzor,” thuhet në njoftimin e kompanisë.

Për më tepër, ekspertët e Pantones thonë se simbolikat e kësaj ngjyre lidhen fort me komunikimin, perspektivën, qartësinë dhe përqendrimin.

Ajo është përdorur nga shumë qytetërime në botë për shkak se besohet se ofron paqe.

Për shembull, qytetërimi i lashtë i Majave e cilësonte ngjyrën blu si ngjyra e perëndisë së shiut.