Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka marrë mbështetjen e udhëheqësve të tjerë të Bashkimit Europian për marrëveshjen e re Brexit. Në samitin dyditor që nisi të enjten, kreu i qeverisë shtrëngoi duart me secilin, ndërsa ndau të qeshurat me dy shtetarët gjermanë dhe francezë, Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. “Dua të theksoj se kjo është një marrëveshje mjaft e mirë për ne, por edhe për miqtë tanë në BE. Nga unioni do të dalim një trup së bashku me Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën Veriore, duke rimarrë nën kontroll financat, kufijtë, ligjet dhe paktet tregtare me botën,” u shpreh Boris Johnson në konferencë nga Brukseli.

Tani kryeqeveritarit do i duhet të marrë edhe aprovimin e parlamentit britanik në një seancë të jashtëzakonshme që do të mbahet të shtunën. Për shkak se Partia e tij Konservatore nuk ka shumicën, dalja nga BE-ja rrezikon të dështojë për herë të katërt dhe procesi të shtyhet deri më 31 janar 2020. Partia e Irlandës Veriore, e cila deri tani ka bashkuar numrat për të mbajtur konservatorët në pushtet, ka paralajmëruar votën kundër, sikurse opozita laburiste.

Nga ana e tyre, pala europiane ka lënë derën të hapur për një rikthim të britanikëve në BE. Deklarata e dakordësuar të enjten zgjidhi ngërçin kryesor duke mos përfshirë një kufi fizik mes provincës së Irlandës Veriore dhe shtetit të Irlandës, ndërsa vendimi për t’iu nënshtruar rregullave europiane të tregtisë do vendoset nga vetë ligjvënësit e provincës./rtsh