Ballina Bota ‘Kërcënimet më të mëdha kibernetike po vijnë’, zyrtari amerikan bën paralajmërimin e...

‘Kërcënimet më të mëdha kibernetike po vijnë’, zyrtari amerikan bën paralajmërimin e frikshëm

Sipas Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare amerikane, Daniel Coats, rreziku i konfliktit mes shteteve është më i lartë se në çdo kohë.

Gjatë një deklarate të dhënë, Coats shprehu një vlerësim të detajuar të kërcënimeve në botë, ndaj komunitetit të inteligjencës.

“Kërcënimet më të drejtpërdrejta vitin e ardhshëm do vijnë nga Koreja e Veriut. Në të njëjtën kohë, kërcënimi i përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë nga shtetet do vazhdojë të rritet”, tha Shefi i Inteligjencës gjatë një seance të Komitetit të Inteligjencës së Senatit amerikan.

Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut do jenë kërcënimet më të mëdha kibernetike për SHBA-në vitin e ardhshëm, tha gjithashtu Coats.

“Në vlerësojmë se këto vende do të përpiqen të përdorin operacionet kibernetike për të arritur objektivat strategjike, në rast se nuk përballen me pasoja të qarta për operacionet e tyre kibernetike”, tha zyrtari i lartë i Komunitetit të Inteligjencës amerikane.

Ai shtoi se katër vendet, po testojnë sulme kibernetike gjithnjë e më agresive, për t’i përdorur kundër SHBA-së.

Duke folur në mënyrë specifike për Rusinë, Daniel Coats tha se SHBA pret që ‘Rusia të kryejë operacione kibernetike gjithnjë e më shkatërruese vitin e ardhshëm, me shumë mundësi duke përdorur aftësi të reja kundër Ukrainës”.

Sipas tij, Kina do të vazhdojë të përdorë spiunazhin kibernetik për të mbështetur prioritetet e sigurisë kombëtare të vendit, ndërsa Koreja e Veriut do të përdorë operacionet kibernetike për të mbledhur para ose për të lançaur sulme mbi SHBA-në.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook