Ballina Bota Qëllohet me armë ministri i shëndetësisë në Maqedoni

Qëllohet me armë ministri i shëndetësisë në Maqedoni

Sulmohet me armë zjarri në Maqedoni Ministri i Shëndetësisë Nikolla Todorov, gjysmë orë përpara se te dorëzonte postin e ministrit.

Sigurimi i objektit ka kapur atentatorin. Bëhet fjalë për 57 vjeçarin Lupço Stojhanovski, gjyshi i vogëlushes Tamara e cila kishte ndërruar jetë dy vjet më parë.

Sulmuesi po mbahet në stacionin policor. Nëna e Tamarës së ndjerë ka pranuar se babai i saj ka kryer tentimin për vrasjen e ish-ministrit Todorov, por megjithatë ajo ka dënuar rastin. Sulmin e ka dënuar edhe kryeministri i ri Zoran Zaev.

Nga partia e tij dënojnë gjithashtu aktin duke kërkuar zgjidhje institucionale. Por partia e Nikolla Gruevskit vlerëson se sulmi ndaj Todorovit është nxitur nga LSDM-ja. VMRO DPMNE kanë reaguar përmes një komunikate me shkrim ku thuhet se tentimi për vrasjen e Todorovit është nxitur nga LSDM-ja.

Nga VMRO-ja thonë se përgjegjësi do kërkohet si nga autori i veprës, ashtu edhe nga nxitësit e saj.

Vogëlushja Tamara nga Velesi ndërroi jetë duke pritur miratimin e Fondit për Sigurim Shëndetësor që t’i mundësonte shërim jashtë vendit. Ajo kishte deformime në kurriz ndërkaq miratimi për operim jashtë vendit erdhi një ditë pas vdekjes së saj.