Ballina Bota Sulmi terrorist në Mancester Arena , edhe 3 të arrestuar , mes...

Sulmi terrorist në Mancester Arena , edhe 3 të arrestuar , mes tyre dhe vëllai i kamikazit

Pasi kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May deklaroi se Abedi nuk kishte vepruar i vetëm, 3 arrestime të tjera janë kryer në vazhdën e hetimeve mbi sulmin terrorist në “Manchester Arena”, fokusi i të cilave është pikërisht nëse Salman Abedi veproi vet, apo nën ndikimin e xhihadistëve të tjerëve.

Mes të arrestuarve është edhe vëllai 23-vjeçar i Abedit. Terroristi 22-vjeçar vrau 22 persona dhe shkaktoi plagosjen e 64 të tjerëve, kur hodhi veten në erë në mjediset e jashtme të koncertit të Ariana Grande, orët e vona të së hënës. Mes viktimave ishte edhe një oficere policie, jashtë detyrës.

Alarmi nga kërcënimi terrorist në Britani është rritur në nivelin “kritik”, që do të thotë se sulme të tjera të së njëjtës natyrë janë të pritshme në shtetin ishullor.

May shtoi gjithashtu se personel ushtarak do të dërgohen për mbrojtjen e  zonave kyçe, ku rrezikshmëria mund të jetë më e lartë. Ushtarët, sipas saj, do të vendosen në vende publike në mbështetje të forcave policore, të angazhuara për mbrojtjen e publikut. Trupa ushtarake do të shihen tani edhe gjatë shfaqjeve të ndryshme, si për shembull koncerte. Ata do të jenë nën komandën e oficerëve të policisë.

Edhe ndërtesa e Parlamentit është mbyllur për publikun, pas këshillave të policisë, e nuk do të hapet deri në një njoftim të dytë, siç njoftohet në një deklaratë në faqen zyrtare të “Westminster”.

Sekretarja e Brendshme, Amber Rudd tha se “sulmi i së hënës ishte më i sofistikuari nga sulmet e tjera që kemi parë deri më sot, e duket tejet e mundur që ai të mos e ketë kryer atë i vetëm”. Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse Abedi është stërvitur në një kamp ekstremistësh në vendin nga ku vinte familja e tij, e ku ISIS dhe al-Qaeda kanë lidhur aleancë për të luftuar forcat qeveritare.

Salman Abedi nuk kishte shumë që ishte kthyer nga Libia, ku kishte qëndruar 3 javë. 22-vjeçari mund ta ketë përgatitur sulmin nën drejtimin e një apo më shumë xhihadistëve.