Në përshkrimin e mëposhtëm, jepen detaje më në brendësi të udhëtimit drejt djepit dhe vendit ku lindi ish-diktatori shqiptar, Enver Hoxha.

Rrëfim:

“Kisha dëgjuar që shtëpia e lindjes së ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha, prej gati dy dekadash shërbente si muze etnografik në qytetin e Gjirokastrës, por unë aty shkova nga ideja që ajo ishte shtëpia e lindjes së njeriut që për gati gjysmë shekulli drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt, jo se më tundonte dëshira për të parë muzeun.

Në një prej ditëve të fundit të gushtit, mora rrugën e kalldrëmtë që të çon në lagjen “Palorto” të qytetit, aty ku ndodhet kjo shtëpi. Me mua ishte edhe një miku im i ardhur nga Greqia.

Pasi hymë te dera gjysmë e hapur, ngjitëm shkallët për në katin e dytë ku premë biletën që na lejonte të vizitonim muzeun dhe ndërkohë pyeta zonjën nëse kishte ciceron për të na thënë diçka më tepër. Po më përgjigjet, teksa ngriti dorën për të na treguar nga duhet të nisnim vizitën në shtëpinë e ish-diktatorit.

Bashkë me mikun tim u endëm për gati 45 minuta në të gjitha ambientet e shtëpisë trekatëshe, një objekt karakteristik si shumë banesa të tjera në Gjirokastër. Ndërsa ciceroni nuk erdhi të na shoqëronte, edhe pse na thanë se ka një të tillë, nisa të bëja foto dhe të komentoja me mikun tim objektet që ishin ekspozuar në të gjitha dhomat.

Kishte punime të ndryshme në dru dekorativ, kostume popullore, punime në tezgjah dhe shumë relike të tjera.Në kokën time ndërkohë, ishte ngulitur ideja se kjo ishte shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës dhe me patjetër këtu duhet të shija diçka që lidhej direkt me ish-diktatorin.

Por më kot, kishte pothuajse asgjë që të kujtonte udhëheqësin komunist. Të kuptohemi, unë s’shkova në atë shtëpi si nostalgjik i Enver Hoxhës apo sistemit që ai ngriti e mbajti gjallë për gati gjysmë shekulli. Më shtyu kureshtja për atë banesë dhe ideja që historia duhet ruajtur, pavarësisht faktitse kemi të bëjme me një ish-diktator që izoloi Shqipërinë për një kohë të gjatë.

LEXO EDHE:  "Të mos luajnë me Enver Hoxhën se...", të burgosurit i dërgojnë letrën e çuditshme Ramiz Alisë në -91-shin

Dhe shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës është një objekt që ka vlerë në historinë tonë kombëtare, ndaj duhet mirëmbajtur dhe pasuruar me objekte apo materiale që lidhen direkt me fëmijërinë e tij.Në katin e tretë të shtëpisë, pas një dere të vjetëruar, në dyshemenë gjysmë të kalbur, shikoj portretin e gdhendur në gur të një gruaje të moshuar.

S’është e vështirë ta dallosh që është busti i Gjyle Hoxhës, nënës së ish-diktatorit. Këtë ma pohoi edhe një zonjë që atë moment erdhi te ne, më shumë e shqetësua nga shkrepjet e shpeshta të aparatit fotografik, sesa nga dëshira apo detyrimi për të na shoqëruar.

Ishte zonja që bënte rolin e ciceronit. Bashkë me mikun tim na shoqëroi në dhomën ku kishte lindur Enver Hoxha. Ndryshe nga ciceronët e tjerë kjo ishte fjalëpak. E pyeta nëse në këtë banesë kishte mbetur diçka autentike që lidhej direkt me ish-diktatorin. Ajo drejton gishtin nga një orë e vjetër muri dhe te sunduku që gjendej në fund të dhomës, përballë me oxhakun.

Për disa çaste ndala vështrimet në këto objekte, por jo dyshimet se ato kishin qenë vërtet që nga koha kur Enver Hoxha ishte fëmijë. S’e di pse, ndoshta dyshimet e mia s’ishin me vend. Diku në një kënd të shtëpisë më zuri syri edhe shqiponjën dykrenare të gdhendur në dru, me yllin përsipër.

Te dhoma përbri bujtën një grup turistësh polakë, të cilët për disa çaste u ulën në dysheme dhe dëgjonin ato çfarë u tregonte udhërrëfyesi i tyre. U mundova të kuptoja ndonjë gjë, por më kot, biseda bëhej në një gjuhë që s’e njihja.

Pas gati një ore në atë shtëpi, zbresim shkallët dhe marrim rrugën e kthimit, duke lënë pas një objekt që s’ka asgjë për ish-diktatorin, veç faktit se dihet që aty ka lindur pikërisht ai, Enver Hoxha.”

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1284″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”0″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook