z.Bujar Leskaj, kryetari i KLSH-së ka përfunduar mandatin  e tij dhe ndërkohë do të zëvendësohet nga zv/Kryetarja Lindita Milo.

“Javën e fundit të dhjetorit në takime të veçanta, Kryetari i KLSH-së, Leskaj informoi për Vendimin e delegimit të kompetencave tek Zv/Kryetari i KLSH, znj. Lindita Milo, Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, zv/Kryetarin e Kuvendit, Kryetarët e Partive opozitare dhe Kryetarët e Grupeve Parlamentare, si edhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas realizimit të takimeve zyrtare, në datën 31 dhjetor 2018 përcolli vendimin tek Qëndra e Publikimeve Zyrtare. Vendimi hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare në datën 8 janar 2019”, thuhet në njoftimin e KLSH.

Zonja Lindita Milo (Lati), aktualisht Zv/Kryetare dhe Drejtore e Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit ka përfunduar studimet universitare në profilin Financë- kontabilitet, mban titullin shkencor “Profesor” si dhe gradën shkencore “Doktor” në Kontabilitet (1996) nga Universiteti i Tiranës dhe Ph.D. në Ekonomiks (2001) nga “Staffordshire University”, Britania e Madhe.

Vendimi arsyetohet nga korniza ligjore e rregullatore në vendin tonë, si dhe u referohet politikave më të mira bashkëkohore të INTOSAI-t, që kontribuojnë në konsolidimin e pavarësisë të Institucioneve Supreme të Auditimit si :

– neni 162/2, i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton se “Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit “qëndron në detyrë për 7 vjet, më të drejtë rizgjedhjeje”;

– neni 23, i Ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, që përcakton se “Mandati i Kryetarit të KLSH-së mbaron kur: a) mbaron afati shtatëvjeçar i qëndrimit në detyrë”;

– neni 25, germa “ë”, e Ligjit nr. 154/2014, datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, mbi kompetencën e Kryetarit “për të përcaktuar strukturën, organikën dhe emërtimin e funksioneve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”;

LEXO EDHE:  KLSH zbulon shumën e frikshme, ja sa është dëmi ekonomik i shkaktuar nga hipotekat dhe legalizimet për 4 në vendin tonë

– Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI të INTOSAI-t, Udhëzuesit e aplikueshëm dhe praktikat më të mira bashkëkohore që i kontribuojnë mbrojtjes së paanshmërisë, objektivitetit, neutralitetit politik dhe besueshmërisë së institucionit suprem të auditimit (ISSAI 30);

– Ligji nr. 44/2015, datë 30.4.2015 , “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”;

– neni 4, i Vendimit të Kryetarit të KLSH-së nr. 27, datë 20.04.2018, “Për miratimin e Kodit Etik të Kryetarit dhe drejtuesve të lartë të KLSH”, ku cilësohet se, “Kryetari i KLSH-së, në ndjeshmëri të lartë dhe përgjegjshmëri maksimale ndaj pasojave të problematikës që paraqitet përpara titullarit të një institucioni kushtetues të pavarur që mund të rikandidojë për pozicionin që mban, problematikë e cila rrezikon të cënojë pavarësinë e institucionit të pavarur kushtetues që ai drejton,e deklaron publikisht për gjatë viteve që ushtron aktiviteti synimin dhe vullnetin e tij për të mos rikandiduar, si dhe, katër muaj përpara datës së mbarimit të afatit të qëndrimit në detyrë, i adreson zyrtarisht Presidentit të Republikës kërkesën për mos rikandidim për t’u rizgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit”.

Në 2 shtator 2018, Kryetari i KLSH-së, ka informuar Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit lidhur me Kodin Etik të Kryetarit.

Kryetari i KLSH-së pas njoftimit të Drejtuesve të Lartë të Shtetit, ka informuar të gjithë Drejtuesit dhe Audituesit e KLSH-së për vendimin e marrë me synim garantimin e vijimësisë dhe normalitetin në punën e audituesve e të stafit të KLSH-së, si dhe realizimin e objektivave të përcaktuara përgjatë fazës së përzgjedhjes, nominimit dhe miratimit të kandidaturës së re për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.