Bylis vijon të jetë një realitet i bukur i futbollit shqiptar, një ekip shumë solid, i aftë të marrë pikë në çdo fushë, përballë çdo kundërshtari, kështu ndodhi edhe këtë të diele teksa dolën me një pikë nga transferta kurbinase. Ballshiotët i kënaqen pikës së marrë pas barazimit pa gola, një pikë që i jep sërish kreun e klasifikimit në kuotën e 12-të pikëve, po aq sa dhe Teuta e Skënderbeu por me golavarazh më të mirë.

Laçi ka harruar të fitojë, ky ishte barazimi 3-të radhazi por ndryshe nga ndeshjet e fundit, ekipi i Starovës tregoi grindë dhe dëshirë për të fituar. Isli Hidi u kthye sërish në pengesë, ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë duke ngritur një “mur” përballë ofensivës laçiane. Vendasit nuk përfituan as nga dalja me karton të kuq të Bicaj në fundin e ndeshjes, nuk arritën të marrin atë 3-pikësh aq shumë të dëshiruar duke mos u shkëputur dot nga pjesa e fundit të klasifikimit. Pas 7 javësh e shohin veten në vendin e 8-të në kuotën e 7 pikëve, 2 më shumë se Luftëtari i parafundit.