Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një dalje për shtyp në Ditën e Verës ka përcjellë një mesazh për BE dhe vendet e mëdha europiane të cilët janë skeptikë për hapjen e negociatave në qershor.

“Ka njerëz në Europë politikanë që ngatërrojnë kërkesën tonë për çeljen e negociatave me anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Politikanë që kujtojnë se do jenë aty gjithë jetën, ndërkohë që ka shumë gjasë që kur të diskutohet anëtarësimi ata të gjithë të jenë duke shkruar kujtimet. 

Ajo që ne kërkojmë është vetëm pjesa e dytë të kurës. Nuk po kërkojmë të zëmë vend në tribunën vip të stadiumit të Europës. Ne jemi akoma në procesin për të kuruar të gjitha sëmundjet tona të trashëguara dhe për tu bërë gati me shëndet të plotë demokratik dhe institucional që të bëhemi pjesë dhe të hyjmë në atë stadium”, shprehet Edi Rama.

Rama ka komentuar dhe deklaratën e presidentit të Francës, Emanuel Macron i cili tha se nuk ka zgjerim të BE-së pa u thelluar unioni dhe reformimi i tij.

Kryeministri foli për dy procese të lidhura paralelisht, për një reformim të thellimit të Bashkimit Europian dhe procesin e zgjerimit me vende të Ballkanit perëndimor.

“Ne nuk mund të na mohohet kura. Nuk mund të na thuhet prisni se kemi ca halle të tjera. Secili ka hallet e veta në këtë botë. 

Nëse Presidenti Macron nënvizoi se duhet fillimisht thellimi i reformës në BE dhe pastaj zgjerimi ne jemi 100% dakord, vetëm se fjalisë i mungon pjesa tjetër, duhet thellimi i reformës në BE dhe thellimi i reformave në Ballkanin Perëndimor, paralelisht. 

Dhe kur BE ta bëjë thellimin e vet dhe ne thellimin tonë, pastaj ne jemi gati të flasim bashkimin tonë me njëri tjetrin një herë e përgjithmonë. 

Kjo është e gjitha dhe Europa, Gjemania, Franca, Holanda, po e po por dhe të gjitha vendet e tjera na detyrohen ne të na japin mundësi për thellimin tonë. Na detyrohen ne sepse i detyrohen vlerave, parimeve dhe vizionit që mishërojnë si vende, si lidershipe sot për Europën dhe besnikërisë që i detyrohen etërve themelues.

Mes etërve themelues të Europës nuk ka pasur asnjë shqiptar. Kanë qenë francezë, gjermanë, italianë. Në emër të atyre themeluesve nipërit e tyre që drejtojnë sot Europën duhet të çelin negociatat e Shqipërisë me BE”, tha Rama.

LEXO EDHE:  "Kemi lënë ca gjëra pa mbyllur bashkë...", Rama i përgjigjet "telefonatës" së Ilir Metës: Me qetësi dhe dashuri zoti President

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook