Në lidhje me deklaratat e kryetarit të Opozitës Lulzim Basha, i cili ditën e djesme deklaroi vendimin e paprtitur për të djegur mandatet, interesi i gjikujt qëndron në pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse Partia Demokratike djeg mandatet, referuar këtu faktit se në mbledhjen e sotme të PD të gjithë anëtarët e saj janë shprehur pro vendimit të Bashës.

Në një prononcim për mediat pyetjes së lartëpërmendur i është përgjigjur Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume, i cili tha se nuk ka asnjë ngërç ligjor që e pengon heqjen dorë nga mandatit dhe nëse ndodh Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ për plotësimin e vakancave.

“Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me atë të dorëheqjes nga një mandat i caktuar. Pra, është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor para se të realizohet. Në qoftë se realizohet një ngërç i tillë do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakancat dhe për pasojë Kuvendi i Shqipërisë duhet të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të plotësuar vakancat. Mënyra se si plotësohen vakancat në këtë rast nuk është e shprehur direkt në kodin zgjedhor por për analogji mund të përdoret rasti kur parashikohet në ligj vakanca e krijuar nga një deputet i zgjedhur si i pavarur. Që do të thotë, në qoftë se KQZ do të thërrasë kandidatët e PD-së në listë dhe asnjë prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet t’ia ofrojë mandatin pastaj subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka”- deklaroi Kristaq Kume.