KUKËS

Disa autobusë të Shqipërisë nuk janë lejuar të kalojnë sot në pikën kufitare të Morinës në Kukës. Mësohet se ndalimi i tyre ka ardhur pas urdhrit  të Ministrisë së Transportit të Kosovës.

Ky vendim është marrë dhjetë ditë më parë, por sot ka nis aplikimin duke bllokuar lëvizjen e tyre drejt destinacionit final. Ky urdhër ndalimi është aplikuar me pretendimin se autobusët nuk kanë përmbushur detyrimet e parashikuara në kontratë.

Autobusët vijojnë të mbahen të bllokuar në pikën kufitare të Morinës që në orët e para të mëngjesit. Nga të dhënat e para mësohet se janë bllokuar 10 mjete nga Vërmica në drejtim të Kosovës për në Bajram Curri. Sipas ministrisë së Kosovës nuk lejohet kalimi për shkak të prishjes së kushteve në kontratë.

Por ky pretendim është hedhur poshtë nga drejtuesit e mjeteve, të cilët shprehen se janë të rregullt dhe kanë zbatuar me përpikëri të gjitha detyrimet e sanksionuara në kontratë.