Tabloidi më i madh britanik, DailyMail, ka mbetur i mahnitur me mikpritjen që Kosova është duke ia bërë tifozëve dhe lojtarëve të ekipit kombëtar të Anglisë në prag të ndeshjes së fundit kualifikuese mes tyre për Euro 2020, saqë beson se kjo e fundit s’e ka ditur ç’është mikpritja deri erdhi në Prishtinë.

“Mund të thuhet lirisht se Anglia kurrë nuk e ka ditur çka është mikpritja e tillë”, shkruan DailyMail duke iu referuar pritjes që kosovarët ia bënë anglezëve para ndeshjes mes Kosovës dhe Anglisë sot në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.

“E tillë është ndjesia e mirënjohjes për rolin e qeverisë britanike në sulmet e NATO-s me bomba më 1999, të cilat i dhuruar pavarësinë këtij vendi. Banerët me lulëkuqe dhe mbishkrimin ‘Mirë se vini dhe Respekt’, si dhe flamuj anglezë i kanë stolisur rrugët e kryeqytetit këtë fundjavë”, shkruan tutje tabloidi britanik.

Kosova luan për një rezultat historik ndaj një gjiganti si Anglia, ndërsa kjo e fundit për ta ruajtur pozitën e parë në Grupin A kualifikuese, në mënyrë që të sigurohet se do të ketë grup më të lehtë në Kampionatin Evropian verën që vjen.

Edhe pse nuk ia doli të kualifikohet në Euro 2020 përmes rrugës tradicionale, Kosova do ta ketë një mundësi të dytë ta bëjë këtë, përmes rrugës së play-off në Ligën e Kombeve.

Në mars, “Dardanët” do të përballen me Maqedoninë Veriore në një ndeshje gjysmëfinale dhe në rast fitoreje, do të luajnë një ndeshje finale ndaj fituesit të gjysmëfinales tjetër mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.