Kanë dalë detaje të reja në lidhje me vrasjen e të riut nga Burreli Keidi Pasha që u ekzekutua para tre ditësh në Gjermani.

Mediat e huaja shkruajnë se policia gjermane ka nisur hetimet, ndërkohë që janë në një situatë krejt të paqartë.

Grupi hetimor e ka quajtur çështje “Tattoo” dhe nuk japin shpjegime për këtë gjë pasi është konfidenciale.

Mediat gjermane shkruajnë më tej se Pasha është gjetur i gjakosur në rrugë, ndërsa kushëriri i tij që u plagos është zbuluar më vonë në banesën ku jetonin të rinjtë. 31-vjeçari tashmë është jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të njëjtave burime mësohet se një makinë me targa të Frankfurtit është parë në vendin e krimit rreth orës 22:00 dhe aktualisht ajo është e sekuestruar ndodhet pranë laboratorit të kriminalistikës.

Keidi Pasha, 19-vjeçari që humbi jetën në atentat kishte vetëm pak ditë që kishte shkuar nga Burreli drejt Gjermanisë.

I ndjeri u qëllua me gjashtë plumba nga një makinë në lëvizje teksa po kalonte rrugën me kushëririn e tij 31 vjeç. Pasha u gjet i mbuluar në gjak në rrugë. Ai vdiq në spital, pasi nuk mundi t’u mbijetonte dot plagëve të marra.

Gjaku kishte mbuluar më shumë se 40 metra rrugë, çka është dashur ndërhyrja e makinerive me ujë për ta pastruar.

Në një njoftim për shtyp pasditen e së enjtes, policia u bëri thirrje banorëve, kalimtarëve dhe përdoruesve të rrugës që të ndihmojnë.

“Ne jemi në kërkim të regjistrimeve video dhe fotografike të bëra në vendin e ngjarjes në Meinstra afër Schützenplatz, qoftë me telefona celularë ose kamera vëzhgimi, ashtu edhe me kamera nga automjetet,”- u shprehën ata./Marrë nga Dosja