Pas deklaratës së Prokurorisë së Tiranës në lidhje me hetimin që ka nisur për kontratat e lobimit nga Partia Demokratike të pa deklaruara sipas ligjit, ka reaguar dhe PD.

PD e  cilëson si një çorbë të gatuar politikisht nga Prokuroria e cila po përdoret nga Edi Rama.

Prokuroria tha se nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 000 dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat nuk janë deklaruar ligjërisht nga subjekti PD.

Por nga ana tjetër PD thotë se kjo deklaratë është e paligjshme, e gënjeshtërt dhe e garuar politikisht. Sipas PD, prokuroria po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Deklarata e sotme e Prokurorisë është e paligjshme, e gënjeshtërt, e paprecedentë, vetëdiskredituese dhe e gatuar politikisht.

Dalja me konkluzione hetimore ende pa përfunduar hetimin, si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, tregon se Prokuroria po përdoret politikisht dhe po i shërben propagandës qeveritare kundër opozitës së vendit.

Partia Demokratike nuk ka shkelur asnjë ligj dhe ka deklaruar të gjitha shpenzimet e kryera në vitin 2017.

Pasi gënjeshtra e madhe që kishte ngritur për hetimin e Partisë Demokratike i plasi në dorë, pas informacioneve të ardhura nga SHBA dhe Skocia, Edi Rama në dëshpërim ka vendosur të përdorë sërish prokurorinë duke e kthyer nga institucion të ligjit në institucion qesharak propagande.