Konferenca për shtyp e 7 anëtarëve të delegacionit të PE-së dhe deklarat e tyre ditën e sotme mbi aktualitetin politik në Shqipëri kanë ngjallur reagime të shumta nga radhët e politikës shqiptare.

Pas reagimit të Monika Kryemadhit si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të eurodeputetit gjerman Knut Flenckestein, një reagim gjithashtu ka bërë edhe ish-deputeti i LSI-së Petrit Vasili i cili ka ironizuar deklaratat e delegatëve të Komisionit Europian duke u shprehur se ata “i kanë sytë e turbulluar”, dhe se sipas tij opozita do të ketë gjithmonë një shami në dorë për të pastruar sytë e turbulluar të tyre.

“Vota në Shqipëri është blerë nga krimi dhe fajtorët i njeh gjithë Shqipëria. Çudi që zyrtarët e BE s’kanë dëgjuar për dosjen ‘339’, e cila mbahet e bllokuar. Unaza e re është një skandal ndërkombëtar. Nuk e shohin zytarët e PE se kanë shikim të turbulluar, por ne do mundohemi tua qartësojmë shikimin. Asnjë standard që është i pa pranueshëm për Evropën nuk mund të jetë i pranueshëm për Shqipërinë. Korrupsioni siç luftohet në Gjermani do të luftohet edhe në Shqipëri. Opozita do ketë gjithmonë një shami në dorë për të pastruar sytë e turbulluar të eurodeputetëve”-, deklaroi Petrit Vasili gjatë një dalje për mediat.