Dekreti i Presidentit për “Kadastrën” do të diskutohet nga Komisioni Ligjeve pasi u kthye nga Presidenti Meta në Kuvend.

Bledar Dervishaj. këshilltari ligjor i presidentit Meta, gjatë raportimit në komision tha se ligji cënon parimin e sigurisë juridike dhe se titujt e pronësisë nuk mund të jenë pjesë e kadastrës.

“Krijohet tension kushtetues, nuk janë në përputhje me jurisprudencën. Bie ndesh me dispozitat civile të Kodit Civil. Ligji cenon parimin e sigurisë juridike që ofronte ligji i mëparshëm. Saktësimi i titujve të pronësisë nuk mund të jetë e drejtë e kadastrës”, tha Dervishaj.

Deputetja socialiste, Klotilda Bushka, relatore e ligjit, tha se pretendimet e presidentit nuk qëndrojnë. “Siguria juridike ka të bëjë me garancitë që i jepen qytetarëve”, tha Bushka.

Partia Socialiste vendosi të rrëzojë dekretin e presidentit të Republikës, Ilir Meta për noterinë. Kreu i shtetit dekretoi kthimin në Kuvend të ligjit nr. 111/2018 “Për kadastrën”, me qëllim rishqyrtimin e tij por më pas kreu i ALUIZNI-t Artan Lame e quajti të paargumentuar kthimin nga Presidenti. Lame deklaroi se në 14 faqe të Presidencës kundër ligjit nuk kishte asgjë dhe asnjë argument.