Gazetari Elidon Ndreka zbardh detaje të reja për “BalkanWeb” lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Mirditë, ku u ekzekutua me armë zjarri 34-vjeçari Eri Zefi. Gazetari Ndreka tha në një lidhje telefonike për “News24” se ngjarja dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, pasi vëllai i viktimës ka kryer një vrasje në muajin shkurt të këtij viti.

Vrasja e 34-vjeçarit dyshohet se është kryer në një zonë tjetër dhe më pas trupi i pajetë është hedhur në kanal në fshatin Zall Xhuxhë, në një zonë jo shumë të banuar. Policia vijon hetimet, ndërkohë që ka marrë në pyetje edhe banorët e zonës, për të zbuluar dhe kapur autorët e krimit.

Ngjarja/ Ç’ndodhi në shkurt të 2019
37-vjeçari Ndue Zefi vrau me kallashnikov shtetasin Martin Ndreca, 45 vjeç, në Durrës. Ai i kishte zënë pritë fqinjit të tij, duke e qëlluar me pesë plumba. Para se të ndodhte krimi, autori dhe viktima ishin ulur bashkë në lokalin e lagjes, ku kishte nisur dhe konflikti mes tyre.

Ata nuk ishin përplasur fizikisht, por me tu ngritur nga tavolina, 37-vjeçari kishte shkuar në banesën e tij dhe kishte marrë kallashnikovin, duke ekzekutuar fqinjin “për larje hesapesh”, siç i tha në kohën kur ndodhi ngjarja.