Nga Nikoleta Kovaçi
Shpërndahet projektligji për vetting-un në radhët e Policisë. Tri komisione që pretendohet se do të garantojnë pastrimin e policisë nga krimi, droga dhe alkooli. Deklarimet e rrugëve jashtë vendi 3 viteve të fundit dhe lekët që kanë shpenzuar. RENEA dhe FNSH në duart e Komisionit Qendror

Në qarkullim prej disa ditësh gjendet një projektligj që është hartuar nga Ministria e Brendshme. Ai është shpërndarë nëpër grupet e interesit dhe po priten mendime për të, ndërkohë që projektligji është i shoqëruar edhe me një relacion. Në të hidhet ideja e domosdoshmërisë për këtë projektligj duke hedhur në letër faktin që policia ka probleme të mëdha, por pa iu referuar askund faktin që policia jo pak por për katër vite ishte në shërbim të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Në projektligj është vendosur në qendër figura e efektivit të policisë, i cili do të kalojë në tre elementë për të bindur eprorët e tij se ai është i duhuri ndërkohë që këto elementë përcaktohen nga komisione që ngrihen enkas për këto vlerësime dhe janë pjesë e dalë po nga radhët e policisë, pavarësisht se në njërin komision do të gjenden përfaqësues edhe nga institucione të tjerë.

Polici duhet të nis vetë së pari të bëjë deklarimet për të gjitha pikat e përcaktuara në projektligj, ndërkohë që bëhet me dije se janë një sërë të dhënash që kanë të bëjnë me të dhënat personale që do të jenë akses i eprorëve të punonjësit të policisë. Projektligji pritet të hasë në kundërshtim, nëse mund të merren parasysh, për dyshimet që do të hidhen mbi të. Në projektligj efektivi del i zbuluar përballë informacionit që vjen për të jo vetëm nga kolegë, eprorë apo të tjerë të fushës, po edhe nga persona të paautorizuar por që mund të dërgojnë informacion për të. Ndërkohë që polici duhet të kalojë një sërë testesh, kësaj radhe edhe të alkoolit dhe të drogës, do të deklarojë të gjitha udhëtimet jashtë vendi, kohën e qëndrimit atje dhe sa lekë ka shpenzuar. Madje deklarimet do të jenë për 3 vitet e fundit, ku asnjë udhëtim polici nuk duhet ta harrojë për shkak se mund të verifikohen në sistem dhe nëse vërtetohet e kundërta edhe mund të ndëshkohen.

Projektligji

Projektligji për vetting në radhët e Policisë së Shtetit dhe në Gardën e Republikës mbështetet në tre komponentë; pastërtia e figurës, pasuria dhe vlerësimi profesional. Këto komponentë do të verifikohen dhe kontrollohen nga tre komisione që janë hartuar në bazë të gradave dhe pozicioneve të të gjithë policisë dhe gardës. Kështu do të jetë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit, Komisioni Vendor dhe i Posaçëm që sipas projektligjit të Vettingut në polici, do të kalojnë në sitë 11 mijë efektivë të Policisë së Shtetit. Aty përfshihen që nga zinxhiri komandues deri tek inspektoret së bashku me 1000 efektivë të Gardës së Republikës si edhe rreth 100 punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Përveç tyre, Vetting-ut mund t’i nënshtrohen me dëshirë edhe ish-punonjësit e policisë nën moshën 55 vjeç, përfshirë edhe të shkarkuarit nga detyra, por që gjykata u ka dhënë të drejtë, duke shfuqizuar urdhrin e shkarkimit.

Efektivi nën vetting

Në këtë Vetting do të angazhohen edhe Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ, Prokuroria, Interpoli dhe Europoli. Efektivi, sipas projektligjit, duhet të deklarojë deri edhe ndryshimin e vendbanimeve, ndryshimin e identitetit nëse ka. Po ashtu, do t’i nënshtrohet edhe testit të drogës, varësisë nga alkooli dhe lojërave të fatit. Një pikë e projektligjit parashikon edhe një kontroll nëse efektivi ka qenë apo jo bashkëpunëtor i ish-sigurimit te shtetit, ndërkohë që një pikë tjetër në projektligj lë të hapur mundësinë e përdorimit të makinës së të vërtetës dhe testeve të tjera psikologjike nëse krijohen dyshime se efektivi nuk po thotë të vërtetën. Për kontrollin e figurës do të kontrollohet nëse efektivi ka lidhje me dijeninë e tij me njerëz të botës së krimit dhe a ka shkëmbyer apo jo dhurata e favore me ta, po ajo që pritet të hapë diskutime në këtë proces është barra e provës që i bie sipas projektligjit efektivit që do të verifikohet për çdo dyshim që do të hidhet ndaj tij, qoftë ai edhe i servirur nga publiku.

Ja si do të ndahen policët sipas gradave

-287 zyrtarët më të lartë të policisë që nga drejtori i përgjithshëm deri tek shefat e komisariateve do t’i kontrollojë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që do të përbëhet nga 15 anëtarët, të zgjedhur nga Inspektorati i Kontrollit të Pasurive, nga bota akademike dhe avokatia.

-2700 punonjës të policisë me grada të mesme dhe 115 nga garda përfshi edhe repartet speciale RENEA, FNSH dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të kontrollohen nga Komisioni Qendror.

Ndërkohë siç parashikohet, të gjithë efektivët e thjeshtë do të kontrollohen nga 135 anëtarë të komisioneve vendore, shumica e të cilëve do të jetë policë që do ta kalojnë të parët Vettingun nga Komisioni Qendror i Vlerësimit.

LEXO EDHE:  Familja e shpalli të zhdukur, policia e gjen jashtë shteti të riun nga kryeqyteti

-Kontrollet të cilave do t’u nënshtrohen të gjithë, janë kontrolli i pasurisë, i pastërtisë së figurës dhe vlerësimi profesional. Kontrolli i pasurisë fillon me një vetëdeklarim të efektivit dhe të familjarëve të tij. Në projektligji shkruhet se policët duhet të deklarojnë edhe çdo pasuri të luajtshme me vlerë mbi 300 mijë lekë dhe çdo aset që e ka shitur apo tjetërsuar. Më tej, verifikimi për dosjen e pasurisë kryhet duke marrë informacion nga të gjitha institucionet. Kontrolli i pastërtisë së figurës nis përsëri me një deklaratë të vetë efektivit.

Pastërtia e figurës së efektivit të policisë dhe fillimi i deklarimit të pasurisë

Kontrolli i figurës

1-Kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova, indicie, informacione konfidenciale dhe informacione të tjera të disponueshme.

2-Kontrolli i figurës zhvillohet në mënyrë objektive dhe pa ndikime të karakterit personal, armiqësor dhe miqësor, të cilat mund të favorizojnë ose disfavorizojnë punonjësin që i nënshtrohet vlerësimit.

3-Kontrolli i figurës përfshin vlerësimin e provave dhe informacioneve që lidhen me rrethanat që merren parasysh në konstatimet, përfshirë rrethanat rënduese apo lehtësuese.

4-Rrethanat që merren parasysh në konstatimin se ekziston një kontakt i papërshtatshëm me një person të përfshirë në krimin e organizuar janë:

a-Punonjësi që i nënshtrohet vlerësimit ose personi i lidhur me të është fotografuar ose takuar me një person të përfshirë në krimin e organizuar

b-Ka patur një komunikim jo rastësor me një person të lidhur me krimin e organizuar

c-Ka shkëmbyer para, favore, dhurata ose pasuri me një person të përfshirë në krimin e organizuar

d- Ka lidhje të ngushta me një person të përfshirë në krimin e organizuar

dh-Merr pjesë ose është i pranishëm në takime me një ose me shumë persona të përfshirë në krimin e organizuar

e-Sidomos kur anëtarësia e personit në krimin e organizuar është e njohur, e publikuar ose e dokumentuar!

Fillimi i procedurës për deklarimin e pasurisë

1-Punonjësi që i nënshtrohet vlerësimi deklaron çdo pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të fituar, posedua përdorur apo tjetërsuar që nga data e fillimit të marrëdhënies së punës në institucionin përkatës pavarësisht datës së emërimit në pozicionin dhe/ose gradën që mban, deri në ditën e plotësimit të formularit të deklarimit të pasurisë.

2-Punonjësi plotëson deklaratën e pasurisë sipas përcaktimit të të bërë në pikën 1, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe dorëzon në njësinë e burimeve njerëzore të institucionit ku punon.

Deklarimi i pasurisë

Punonjësi i policisë që i nënshtrohet vlerësimit deklaron;

a-Të ardhurat personale dhe ato të lidhur sipas certifikatës familjare

b-Shpenzimet e vitit të fundit për qira banese, ujë, drita, telefon dhe internet si dhe të gjitha pagesat periodike për kontratat e furnizimit apo pajtimit në emër të tij apo të personave të lidhur me të

c-Udhëtimet private dhe personale të lidhur, jashtë shteti gjatë tri viteve të fundit duke specifikuar vendin, kohëzgjatjen dhe me përafërsi shpenzimet e përballuara.

Ja si do iu mbahen nën kontroll pasuria dhe të dhënat personale të efektivëve

Vlerësuesit e deklarimit

1-Trupa e vlerësimit, bazuar në deklaratën e pasurive zhvillon një procedurë kontrolli në përputhje me ligjin.

2-Verifikimet për punonjësin që i nënshtrohet vlerësimit kryhen në të gjitha institucionet apo personat juridikë publikë apo privatë të cilët japin të dhëna në lidhje me deklarimet apo mosdeklarimet e këtyre punonjësve

3-Trupa e vlerësimit mund të kërkojë nëse ka informacione për punonjësin që vlerësohet dhe për lidhje e tij, për dokumentet lidhur me pasuritë në pronësi të punonjësit dhe personave të lidhur me ta, ose të dhëna financiare mbi çdo transaksion financiar, brenda apo jashtë vendi.

4-Në përfundim të kontrollit trupa vlerësuese bazuar në të dhënat që ka grumbulluar përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar dhe sipas rastit konstaton se:

a-Deklarimi është i saktë dhe në përputhje me ligjin, me burime të ligjshme financiare dhe që punonjësit nuk gjendet në një situate konflikti interesi

b-Ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë

c-Është kryer fshehje pasurie

d-Është kryer deklarim i rremë.

Aksesi në informacion

Organet e vlerësimit bashkëpunojnë me organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë, vendas ose të huaj, për të verifikuar vërtetësinë dhe saktëson e deklarimeve nga punonjësi që i nënshtrohet vlerësimit.

Anëtarët dhe trupat e vlerësimit kanë akses të plotë në të gjitha të dhënat;

a-Për gjendjen gjyqësore të punonjësit

b-Në dosjen personale të punonjësit, të dhënat statistikore, dokumentet, vetëvlerësimet, mendimet e eprorëve, të dhënat mbi trajnimet, mbi ankesat ndaj personave që i nënshtrohen vlerësimit nga rezultatet e verifikimit të ankesave si dhe mbi vendimet për masat disiplinore ndaj vlerësuesve.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook