Në një kohë kur babai i Alvi Berishës, 11-vjeçarit që ndodhet në Siri, Aferim Berisha dha alarmin se djali i tij ndodhet i vetëm në një nga kampet e ISIS, ndërsa kërkonte ndërhyrjen e autoriteteve shqiptare, ka reaguar për herë të parë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Në një deklaratë për mediat, Cakaj teksa u tregua shumë i rezervuar tha se qeveria është angazhuar maksimalisht për të arritur objektivat, ndërsa përsëriti disa herë se nuk mund të flasë gjatë për çështje të tilla kaq sensitive.

“Ne jemi angazhuar maksimalisht për të realizuar këtë objekti. Është çështje e ndjeshme dhe nuk mund të flas për këtë rast”, tha Cakaj. Po ashtu ai tha se kthimi i vogëlushit në Shqipëri shkon përtej diplomacisë.

“Kërkoj mirëkuptimin tuaj që të bëj thirrje që ky rast të mos keqpërdoret. Pasi shkon përtej diplomacisë. Edhe vendet e tjera dhe të rajonit do t’i kishin kthyer njerëzit në vendet përkatëse. Është çështje që duhet të bëhet në koordinim të ngushtë. Gjuha ime është e përgjithshme, në raport me këtë proces”, tha ministri.

Rasti i Alvi Berishës rrëmbeu vëmendjen e publikut shqiptar dhe italian pas transmetimit të historisë tragjike nga emisioni investigativ ‘Le Iene’, ku babai donte të dinte mbi fatin e vogëlushit.