Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se do t’i propozojë Grupit Parlamentar dhe forumeve më ta larta  djegien e mandateve të deputetit.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali u shpreh se ky vendim i PD-së krahas të keqes e ka edhe një të mirë.

Spiropali thekson se e mira është se nuk do t’i marrin më rrogat për të ndotur me bojë e baltë Parlamentin.

Nëpërmjet postimit në “Twitter”, Spiropali pohon se Lulzim Basha pasi vendosi fillimisht të digjte qeverinë papritur ndryshoi kurs, duke vendosur së fundmi djegien e opozitës.

“Lulzim Basha tha se do digjte qeverinë dhe paska vendosur të djegë opozitën! Sinqerisht nuk do ta dëshironim kurrsesi degradimin e tyre konstant, po në këto kushte, duhet pohuar kjo e keqe e ka një të mirë: Nuk do t’i marrin më rrogat për ta ndotur Parlamentin me baltë e bojë!”, shkruan Spiropali.