Kryeministri Edi Rama tha në studion e emisionit “Real Story” në “News 24” se është dakord për një Shengen Ballkanik. Rama deklaroi se kjo nuk ka të bëjë fare me Jugosllavinë, por me zhdukje të kufijve mentalë të ballkanasve.

“Ka folur Fatos Nano dhe disa janë tallur. Unë do të heq kufijtë e këtij rajoni ose mua nuk do më dalë e keqja. S’kemi pse merremi me këto, jo u hap kufiri e jo nuk u hap. Është plan A dhe jo B. Ne paralelisht me integrimin tonë si shtet, nuk ka lidhje me Jugosllavinë kjo. Do të bëjmë një treg të madh në Ballkan. Duhet që Serbia dhe Maqedonia e Veriut të heqin kufijtë. Do hiqet kufiri i Shqipërisë me Kosovën dhe do bëhet si të shkosh nga Shkodra në Vlorë.”, tha Rama.

Edi Rama theksoi se nuk është as për ndarje të Kosovës dhe as për ndryshim kufijsh, kurse akuzoi opozitën se ajo vetëm nxin me ato që deklaron për Kosovën.

“Të gjitha historitë që gjasme unë do ndankam Kosovën. Këto janë përralla që bëhen këtu për të përhapur urrejtje. Kosova dhe Mali i Zi sot kanë marrëdhënie shumë të mira. Këtu kemi një sërë protagonistësh qëjanë gati të fusin në hell Shqipërinë, Kosovën vetëm që të nxijnë. Kosova dhe Serbia duhet ta mbyllin këtë çështje dhe patjetër që Serbia të njohë Kosovën. Unë jam kundër shkëmbimit të territorit dhe jo kufi etnikë. Kancelarja Merkel kishte keqkuptime nga këtadhe Merkel tha është dakord. SHBA dhe BE janë bashkë kundër shkëmbimit të territoreve”, tha ai.

I pyetur në lidhje me Greqinë dhe nëse Shqipëria e ka “po” nga ky shtet ballkanas për hapjen e negociatave, Rama deklaroi se ka zhvilluar takim me Mitsotaqis dhe se ishte një bisedë e cila në tërësi ishte pozitive.

“Është vendosur një bazë e mirë komunikimi personal. Unë nuk hedh fall. Ajo që di është se ka një presion shumë të madh që të hapen negociatat. Gjermania fillimisht ishte e dyzuar, ndërsa tani Gjermania ka kaluar pro nesh. Tani që Gjermania ka kaluar pro, po bind edhe vendet e tjera. Nuk ishte një bisedë e gjaë, por folëm në parim, do flasim sërish, njeri pozitiv dhe i arsyeshëm dhe në raport me nevojën për të çuar përpara. Por, janë procese. Situata është bërë më e komplikuar”, deklaroi Rama.