Kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë një takimi me ekspertet e shëndetësisë ka treguar planin e opozitës dhe pagat e reja që do të marrin bluzat e bardha kur kjo forcë të vijë në pushtet.

Basha tha sot paga minimale e doktorëve do të jetë 1200 euro dhe ajo e infermierëve 700 euro.

Lideri i opozitës tha se sektori i farmaceutikës ka qenë një ndër sektorët me korruptiv në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Rrogat më të ulëta në rajon.  Rrogat më të larta nuk kapin as gjysmat e rajonit. Mjekët dhe infermierët përpiqen t’u shërbejnë  qytetarëve, por po e bëjnë shërbimin  si në spitale lufte. Spitalet e rretheve kanë mbetur vetëm në godina. Shërbim shëndetësor  është i varfër, pak mjekë dhe pak ilaçe.

Këto probleme nuk zgjidhen sa hap dhe mbyll sytë, por kemi nisur  një diskutim me të gjitha grupet për të hartuar politikat e duhura dhe përmirësimin e sistemit shëndetësor.  Me ardhjen e PD në pushtet paga minimale e doktorëve do të arrijë 1200 euro në muaj dhe për infermerët në 700 euro në muaj. Ky është realiteti në Kosovë. Ky është synimi  dhe objektivi. Këto do të jenë pagat minimale në sektorin shëndetësor.  Unë zotohem sot këtu para jush se këtë objektiv do ta bëjmë realitet”-shtoi Basha.

Më tej ai shtoi se: “Shëndetësia në Shqipëri renditet e fundit në Ballkan. Sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv. Në tre vitet e fundit Shqipëria renditet e fundit për cilësinë në shëndetësi. Treguesit kanë ardhur në përkeqësim që në 2013. Financimi është më i ulëti,janë rritur  shpenzimet e PPP-ve. Në radhë të parë këtu vendoset se çfarë do të vidhet sa do vidhet dhe kush e vjedhë në hesap të kujt.

Mos të flasim  pastaj për Check-Up, i cili na i nxjerrë burrat me barrë dhe gratë me probleme me prostatën. Sektori i farmaceutikës në Shqipëri dhe Ballkan ka njohur një korrupsion të madh në këto vite. I gjithë sistemi është në kolaps, sepse ka asgjësuar perspektivën e zhvillimit të paktën për momentin. Dua të them se krijimi i monopoleve gjigande private të financuara prej buxhetit ka futur në kolaps institucionet shëndetësore. Gjendja në spitale është katastrofike. Ka mungesa medikamentesh. Mungesat nuk kanë fund, marrin përmasa afrikane të Afrikës qendrore siç është mungesa e paracetamolit në urgjencat’.