Ballina Dosier Dokumenti i rrallë/ Si i refuzoi Mbreti Zog 7 ultimatumet që i...

Dokumenti i rrallë/ Si i refuzoi Mbreti Zog 7 ultimatumet që i dha Musolini në 1933

Gazeta franceze, “Le Matin”, ka botuar, të shtunën e 26 gushtit 1933, në faqen n°3, shkrimin e gazetarit të Daily Mail në Beograd, në lidhje me ultimatumin e Benito Musolinit (Duçes) drejtuar asokohe Mbretit Zog.

Çfarë përmbante më saktësisht ky ultimatum ?

Londër, 25 gusht. Nëpërmjet lidhjes telefonike. Matin.

Korrespondenti i Daily Mail në Beograd, të cilit i japim përgjegjësinë e plotë për informacionet në vijim, telegrafon se një lloj tensioni mbizotëron në qarqet politike të Shqipërisë, sepse mbreti Zog duket se ka refuzuar një propozim të Z. Musolini. Kjo kërkesë, që sipas disave është shprehur në formën e një ultimatumi të vërtetë, kërkonte marrjen e masave të mëposhtme në Tiranë :

1 – Zëvendësimin me zyrtarë me prejardhje ose kulturë italiane të të gjithë atyre që nuk janë;

2 – Shitjen e të gjitha veprave ushtarake shqiptare Ministrisë Italiane të Luftës;

3 – Zëvendësimin e shefit të policisë shqiptare dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët aktualisht janë nënshtetas britanikë, me oficerë italianë;

4 – Shfuqizimin e traktateve ekonomike, aktualisht në fuqi, të firmosura nga Shqipëria me fuqitë e huaja;

5 – Rihapjen e të gjitha shkollave katolike (fetare) të mbyllura kohët e fundit;

6 – Mësim të detyrueshëm në shkollë të gjuhës italiane;

7 – Zëvendësimin e liceut francez të Korçës me një institucion italian.

Mbreti Zog duket se ka refuzuar (sipas gazetarit të Daily Mail) pranimin e paragrafëve 1, 3, 5 dhe 7 të kësaj shkrese dhe gjendet përballë një dileme të vërtetë, mes një aneksimi të mundshëm të vendit të tij nëse nuk u bindet kërkesave të Romës, ose një revolucioni tek populli i tij, nëse ai dorëzohet ndaj Mussolinit.

Duhet të theksohet se në kuadrin e Paktit të Tiranës qeveria italiane ka të drejtë të dërgojë trupa në Shqipëri nëse regjimi aktual është i kërcënuar./darsiani

LEXO EDHE:  Komisioni Europian përllogarit rritjen ekonomike të Shqipërisë

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook