Ballina Dossier DOSSIER/ Filozofi shqiptar i shpjegon konsullit francez: Pse duhej një tiran si...

DOSSIER/ Filozofi shqiptar i shpjegon konsullit francez: Pse duhej një tiran si Ali Pashë Tepelena (1822)

Nga: Aurenc Bebja
Në librin në gjuhën frënge, “Vie d’Ali-Pacha, visir de Janina, surnommé Aslan ou le Lion – Jeta e Ali-Pashës, vezirit të Janinës, i thirrur Asllan ose Luan”, të autorit Alphonse de Beauchamp, botuar në Paris në vitin 1822, gjejmë një fragment të veçantë, në faqen n°180, mbi rrëfimin e një filozofi shqiptar* për Ali Pashë Tepelenën.

Teksti i plotë:
“Qeveria e tij kishte megjithatë apologjetë ; Konsulli i Francës (François Pouqueville) citon si dëshmi, mendimin e një filozofi shqiptar, që e njihte Francën, që kishte qëndruar në Paris dhe frekuentuar shkrimtarë, bashkohorë si Volteri. Burri i moshuar i ka shprehur atij këto fjalë :
Në Prémiti (Përmet) kam lindur. Njeriu i mençur dhe i kujdesshëm mund të jetë i lumtur kudo. Për këtë, unë jam një shembull i padiskutueshëm. Kam parë Versajën dhe Mbretin e Francës ; kam parë qytetërimin më të shkëlqyer ; kam jetuar në mesin e popullit më të sjellshëm në botë ; dhe pavarësisht kësaj, kam dëshiruar të kthehem në atdheun tim.

Për pesëmbëdhjetë vjet kam shërbyer si përkthyes, vezirit Ali Pasha, pa patur prej tij mosmirënjohje apo nder të madh. Qeveria e tij, të cilën ju me siguri do ta gjykoni me ashpërsi, është në raport me njerëzit që ai urdhëron ; padrejtësitë dhe mizoritë e tij, gjithçka është e zbatueshme dhe proporcionale me natyrën e egër të shqiptarëve.

Duhej një tiran për të nënshtruar një popull grabitqarësh. Fjalët e mia ju çudisin, e pranoj ; por dhjetë vjet më parë ju do të ishit vrarë ose shitur si skllav, nga ata që sot ju shoqërojnë dhe mirëpresin.”

* Identiteti i filozofit shqiptar nuk është përmendur në libër, por sipas kërkimeve mund të bëhet fjalë për Konstandin Dukën nga Përmeti. /darsiani.com

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook