Ballina Dosier DOSSIER/ Kajo Karafili, Heroi i Popullit, tmerri i spiunëve tradhtarë e pushtuesve...

DOSSIER/ Kajo Karafili, Heroi i Popullit, tmerri i spiunëve tradhtarë e pushtuesve të huaj

Legjendari Kajo Karafili u vra më 10 Janar 1944 në ballë të luftës. Fashistët e kuislingët e zhvarrosën dhe trupin e tij e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Kavajës.

Më 10 janar, mbushen plot 71 vjet nga vrasja e trimit, Heroit të Popullit, atentatorit me famë, Kajo Karafili, një nga luftëtarët besnik të Babë Myslimit. Në këtë ditë, Kajo Karafili kujtohet me nderim e respekt të veçantë, duke mbetur fanar ndriçues në breza për heroizëm, trimëri e atdhedashuri…

Myslim Peza dhe Kajo Karafili u lidhën me besa-besë me njëri-tjetrin, luftuan me mish e me shpirt kundër pushtuesve të huaj dhe tradhtarëve të vendit. Kajo Karafili, me heroizmin e tij, u bë simbol i atentatorit të guximshëm për asgjësimin e spiunëve të rrezikshëm të vënë në shërbim të pushtuesve të huaj.

Ja disa fragmente të atentateve të suksesshme që ai kreu me shokët e çetës partizane të Myslim Pezës:

Asgjësimi i Neki Starovës në Pogradec. Babë Myslimi, me iniciativën e tij, vendosi që aksionin e parë Kajo Karafili ta bënte duke asgjësuar Neki Bej Starovën, i cili kishte kryer disa krime në Shqipërinë e Mesme, në Shijak, ku kishte varur në litar patriotët Bajram Xhani nga Kavaja dhe Mustafa Tufën. Në Dibër kishte vrarë Halit Lleshin, të atin e Haxhi Lleshit dhe në Skrapar ishte majmur me vjedhjet që kishte bërë. Duke qenë në pensionit, qëndronte në Pogradec. Për këtë aksion u ngarkuan Kajo Karafili dhe Sula i Nuzit, i cili ishte trim i zgjuar. Të dy trimat i zunë pritë Nekiut në qendër të Pogradecit dhe me 29 maj 1940, në orën 21:30, Kajani krejt i qetë i tha: “Je i dënuar si tradhtar!”. Pas fjalëve ai i dha gjashtë plumba në trup, duke e lënë në vend të vdekur. Vrasja e Neki Starovës u dogji shumë italianëve, ashtu edhe spiunëve të tyre vendas. Pas atentatit, të dy shokët u larguan pa asnjë dëm nga Pogradeci. Formimi i çetës antifashiste nga Myslim Peza i shqetësoi mjaft spiunët dhe fashistët italianë. Me 13 janar 1941, Babë Myslimi i urdhëroi Kajo Karafilin, Hamdi Grorin dhe Shaban Rexhën në një aksion për të asgjësuar agjentin e fashizmit Ram Selimin, vrasja e të cilit e shqetësoi armikun, veçanërisht Shefqet Vërlacin, i cili e kishte mik agjentin e tij, Ram Selimin. Me 13 mars 1941, me urdhrin e Babë Myslimit, u shkëput nga çeta një njësit prej 7 vetash, i përbërë nga Kajo Karafili, Sadi Sinani, Sula i Nuzit etj, të cilët prenë shtyllat telefonike gjatë rrugës Ndroq-Tiranë dhe u qëllua një makinë ushtarake, ku u plagos për vdekje oficeri fashist Konti Kapelo. Kryerja me sukses dhe pa asnjë humbje, alarmoi fashistët dhe qeverinë kuislinge të Shefqet Vërlacit, që përgatiten sulmin për asgjësimin e Çetës së Pezës, me 16 mars 1941, por përsëri armiqtë dështuan. Me 22 qershor 1941, në Ramush të Vrapit, Babë Myslimi me shokë të çetës, u rrethua nga xhandarmëria fashiste, e cila ishte në numër 8-9 herë më e madhe se partizanët, por këtu, trimat që luftonin për liri, treguan trimëri të madhe dhe e çanë rrethimin nga lufta që bënë Kajo Karafili, Avdi Kasalli, Shaban Rexha, Babë Myslimi, Sul Ramushi etj, por u vra trimi Sula i Nuzit nga xhandarët. Xhandrmëria dhe milicia fashiste lanë 5 xhandarë të vrarë, 3 të plagosur dhe më vonë u mor vesh se 60 xhandarë kishin dhënë dorëheqjen. Me 8 maj 1943, Kajo Karafili, Nazmi Kaba dhe Maliq Muço vrasin kriminelin Dik Dukau, toger i kuesturës fashiste dhe bashkëpunëtorin e tij Shaziman Reçi. I gjithë populli i Kavajës dhe i Durrësit u gëzuan pa masë kur mësuan vrasjen e këtyre dy kriminelëve të rrezikshëm. Me 31 maj 1943, atentati kundër kriminelit Ramazan Bali. Ky i fundit ishte toger i milicisë fashiste dhe spiun i fashizmit. Ai njihej si organizues i masakrës që bënë fashistët në Pajon, Grecë, Pezë e Gror. Ky kishte lyer duart me gjakun e popullit, prandaj duhej zhdukur, prandaj duhej zhdukur menjëherë. Kajo Karafili dhe Pandi Nasho i zunë pritë dhe e vranë, së bashku me dy rojat e tij. Vrasja e Ramazan Balit në zemër të Tiranës u futi tmerrin spiunëve të tjerë dhe kjo qe një humbje e madhe për fashistët, të cilët nuk e ndjenin veten të sigurt në asnjë vend. Lufta e Lis-Patrosë në 10 janar 1944. Trimi Kajo Karafili u doli në befasi gjermanëve. Këta nuk luajtën vendit, duke mos e ditur kush ishte. Kajua menjëherë mori torbën me bomba nga dora e një partizani dhe pa lajmëruar shokët, hodhi mbi armikun rreth 16 bomba. Të gjetur para kësaj befasie, gjermanët u llahtarisën dhe në rrëmujë e sipër u sprapsën. Disa prej tyre filluan dhe të qëllonin për vetëmbrojtje. Partizanët e dy çetave të udhëhequr nga komisari i tyre u sulën drejt vendit ku plasën bombat dhe i rrethuan gjermanët në formë gjysmë rrethi. Vendi i ku u ndodh armiku ishte shumë i vështirë. Partizanë, duke pasur pozicione të përshtatshme, vranë shumë prej tyre. Lufta u ndez e ashpër. Snajperët gjermanë mbas 10 minutash luftë, zunë vend dhe po qëllonin me shenjë. Komisari iu afrua Kajos dhe qëllonte me automatik mbi grumbullin gjerman. Këta u vunë para grykave të pushkëve, mitralozave dhe automatikëve të partizanëve. Në orën 01:00 të drekës, një plumb armik e qëlloi komandantin Kajo Karafili në ballë dhe e ndau nga shokët përgjithmonë. Partizanët nuk u demoralizuan nga kjo humbje e madhe, por e ashpërsuan edhe më shumë luftën kundër barbarëve gjermanë. Lufta vazhdoi deri në mbrëmje. Nga partizanët mbetën të vrarë edhe Mustafa Lleshi, komisar i kompanisë së dytë, Bajram Tusha, mitraljer dhe togëkomandant, Myrvete Peza, e fejuara e Kajo Karafilit. U plagosën rëndë Bet Tropline, nënkomandant i kompanisë së tretë dhe Isuf Troplini. Nga ana e gjermanëve u vranë e u plagosën mbi 100 vetë. Kajo Karafili është shpallur Hero i Popullit, ndërsa të tjerët kanë merituar Statusin e Dëshmorit të Atdheut.

LEXO EDHE:  DOSSIER/ Rrëfimi i djalit të Enver Hoxhës: Si u njoh me italianen e bukur që i refuzoi fejesën dhe betimi për hakmarrje

KUSH ËSHTË KAJO KARAFILI

Kajo Karafili lindi në Pogradec në vitin 1921, ishte nga atentatorët më të mirë gjatë Luftës Antifashiste, ra dëshmor me 10 janar të vitit 1944 në Kavajë. Gjatë jetës së tij, ai u lidh ngushtë me Myslym Pezën, ose të njohur me emrin Babë Myslymi. Njohja e tyre u bë në ilegalitet, pra kur ishin larguar nga Shqipëria si te përndjekur nga qeveria e mbreti Zog. Njohja me Myslym Pezën e bëri Kajo Karafilin të lidhte një miqësi të fortë me Babë Myslymin, gjë që ndikoi edhe tek e ardhmja e tij. Ai u rikthye në Shqipëri, së bashku me Myslym Pezën e Haxhi Lleshin e një grup tjetër ish të përndjekurish, sapo ushtria fashiste hyri në Shqipëri dhe u vendosën në krahinën e njohur të Pezës e cila do të shndërrohej në një nga frontet më të zjarrtë të Luftës Nacional Çlirimtare. Bashkudhëtarë të jetës së tij thonë se djaloshi energjik kishte një karakter burrëror dhe ishte njeri i fjalës e i besës. Gjithashtu tregojnë se ishte ndër luftëtarët më trima. Kajo Karafili ishte me origjinë nga qyteti i Pogradecit, ai përndiqej nga qeveria e atëhershme e mbretit Zog pasi kreu vrasjen e një xhandari milicie, i cili i kishte vrarë të atin. Djaloshi trim, dhe pse fare i ri, u hakmor për babanë e tij dhe u detyrua të largohej nga vendi. Fati i tij deshi që në këtë ‘shtegtim’ ai të njihej me Babë Myslymin i cili e afroi menjëherë Kajon sepse i kujtonte djalin që ai kishte lënë në Shqipëri. I rritur si i ‘biri’ i Babë Myslymit, Kajo mori tiparet e virtytet e ‘Babës’, ai u rrit si një djalë trim, i ndershëm e atdhetar i flaktë. Gjatë periudhës së Luftës Nacional Çlirimtare, ai u dallua ndër shokët. Kajo Karafili ra si hero në luftime në një fshat në afërsi të Kavajës. Për të bindur popullin se ai kishte vdekur, forcat pushtuese u detyruan ta zhvarrosnin trimin e maleve dhe të vdekur i bënin xhiro në qytetin e Kavajës, pasi ai, edhe ashtu i vdekur, i ngjallte frikë e panik okupatorit.

LEXO EDHE:  DOSSIER/ Dalin fotot nga zhvarrosja e Enver Hoxhës në vitin 1992

Këngë për Kajo Karafilin

Dit e hane o moj dit e zez

Krisi pushka mun ne Pez Krisi pushka mun ne Pez

Mu ne Pez e mun ne kryzi Lufton Kaja me gjith ushtri Lufton Kaja me gjith ushtri Me ushtri me bataljon Kan rrethu o nji grup gjermon Kan rrethu o nji grup gjermon Grup gjermon o ni grup tradhtar Lufton Kaja nji shok i rrall Lufton Kaja nji shok i rrall Krisi pushka gjemoj toka Than bejleret o ç’jan o kto topa Than bejleret o ç’jan kto topa Nuk jan topat e gjermanit Por jan bumjet e Kajamit Por jan bumjet e Kajamit Shkoj haberi ke bab o Myslymi Ç’u vra Kaja Karafili Ç’u vra Kaja Kaja trimi

Xhevdet Çelmeta

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook