Ballina Dosier DOSSIER/ Marubi, vajza e parë që pozoi e zhveshur në Shqipëri në...

DOSSIER/ Marubi, vajza e parë që pozoi e zhveshur në Shqipëri në 1878-ën

Nga Zefina Hasani/

Të zhveshësh një femër shqiptare, ta “ngujosh” të tillë, përpara aparatit fotografik ose syrit vëzhgues të një piktori, e ta ekspozosh pastaj për gjithë të tjerët, edhe sot e kësaj dite në këto kohë moderne, duket thuajse e pamundur. Tabuja ende nuk është zbutur aq sa edhe kur ndonjëherë ndodh që, ato, të ashtuquajturat “vajza të çmendura” të pranojnë shfaqjen e fotove të tyre tip topless(sepse për nudo as që mund të flitet), gjykuesit nuk vonojnë t’u ngjiten keq, nga pas. E megjithatë kjo “përndjekje” nuk i ka trembur femrat shqiptare. Vetëm sa i ka detyruar të ndrydhen disi, për të pozuar vetëm para fotografit ose piktorit dhe jo për gjithë të tjerët. Për të mbetur brenda studiove të artistëve, anonime e të dënuara që të mos dalin më prej andej.

Studiuesit e artit kanë treguar se një histori e tillë ka nisur të rrëfehet shumë vite më parë, dhe ende nuk ka ndryshuar. Femrat kanë pranuar të pozojnë të zhveshura, që nga kohët kur një “lajthitje” e tillë mund të të hante kokën. Në 1938-ën, për herë të parë një femër shqiptare pozoi nudo në sytë e Abdurrahim Buzës, dhe piktura do të fshihej për vite me rradhë nëpër skutat e studios së piktorit (deri në vitin 2000 kur u hap në Galerinë e Arteve ekspozita e parë me nudo “Post Eva”). Ashtu siç do të fshiheshin dhe ndot anonime të skulptorit Janaq Paço. Të cilat i përkisnin po atij viti. Pra 1938-shit, kur thuhet, se nisi sfida ndaj fanatizmit të egër të kohës e femrave shqiptare, që pozuan nudo përballë syrit të një artisti.

Por një zbulim tjeter, dëshmon se femrat shqiptare e paskërkan sfiduar shumë vite më parë fanatizmin shqiptar. Se femrat-anonime që kanë pozuar të zhveshura (në fshehtësi), vijnë prej të tjera kohëve, shumë më të hershme kur janë realizuar dhe foto të çuditshme…

“Topless” nga aparati i Marubit

Një foto e vjetër, nxjerrë prej skutave të errëta e të harruara të fototekës “Marubi”,duket se do e përmbysë vitin 1983 dhe historinë që ai ka mbajtur mbi vete. Një femër e veshur me kostum popullor, e ka thyer shumë e shumë kohë më parë tabunë. Përpara aparatit fotografik të Pjetër Marubit, malësorja me tipare të egra ka zbuluar gjoksin e saj. E paemra, dëshmi e gjallë e një të vërtete që daton në vitin 1878. Por zbulimi i kësaj foto rezulton të jetë bërë kohë më parë, kur studiuesi i arteve figurative Ferid Hudhri mori udhën drejt Shkodrës për të gërmuar në fototekën “Marubi” me idenë e krijimit të një albumi të ri me fotot e kësaj dinastie fotografësh. Studiuesi nuk ishte vetëm, por i shoqëruar nga Donika Bardha. Ishte pikërisht kureshtja e saj që zbuloi se Marubët paskan pasur në koleksionin e tyre edhe fotografi femrash të zhveshura. Askujt nuk i kishte shkuar në mendje se mund të ekzistonin të tilla foto, madje as studiuesve francezë që realizuan të parin album të Marubit, të promovuar më 1995 në Francë. Ndërsa Bardha dhe Hudhri pa diskutim që do e kishin renditur në albumin e tyre këtë foto tip topless, të cilën nuk arritën ta realizojnë aq shpejt sa e kishin menduar. Kështu që arkivistja, tashmë e çliruar prej sekretit që kishte ruajtur për vite me rradhë, ndoshta dhe pse asnjëherë se kishte pyetur kush, ia ofroi Roland Tashos atë fotografi, i cili me fondet e marra prej Ministrisë së Kulturës e pati më të lehtë ta bënte albumin. Kështu “Portret gruaje” që mban poshtë nënshkrimin Pjetër Marubi -1878, u mbërthye në këtë memorie historike duke nxjerrë në dritë një histori që s’është rrëfyer kurrë më parë. Veç kësaj fotoje tashmë të botuar, ka dhe disa femra të tjera të zhveshura në fototekën “Marubi”, që janë fotografuar jo vetëm nga Pjetër Marubi por dhe nga Gega, pra në kohën e socializmit”. Gjetja e këtyre fotove, sipas studiuesit Hudhri, duke menduar kohën se kur janë realizuar ato, kohë në të cilën Pjetër Marubi e ka pasur shumë të vështirë të bindte një femër të pozonte përpara një aparati me një kostum popullor të krahinës nga ku ajo zbriste për në pazarin e madh të Shkodrës, është një zbulim i madh. “Dihet që Pjetër Marubi erdhi në Shqipëri me një kulturë italiane mbi pikturën dhe skulpturën, kulturë kjo që e pranonte nudon. Por në qytetin fanatik të Shkodrës me pikturën ose skulpturën ai nuk do arrinte dot kurrë të realizonte një figurë nudo sepse femrës do i duhej të pozonte për të me orë të tëra. Gjë që nuk mund të bëhej. Por që me sa duket Pjetri e ka arritur me aparatin e tij magjik, brenda pak minutash me femrën anonime që zor se mund të zbulohet se kush ka qenë. Një gjë është e qartë. Ajo është shqiptare e këtë e tregojnë tiparet e saj. Ndërsa për fotot e tjera do të mund të  flas kur t’i zbulojmë e kur t’i botojmë”. Atëherë, studiuesi ndoshta do të arrijë t’i japë një lloj shpjegimi arritjes së madhe të Marubëve në kohët më të rrezikshme. Kur shumë artistë të tjerë (të huaj) të arteve figurative kishin synuar për ndonjë femër shqiptare që t’u pozonte e veshur (dhe jo e zhveshur) me kostume popullore. Pa arritur dot kurrë, asgjë.

LEXO EDHE:  "Surpriza e Verës është Shqipëria", mediat italiane i bëjnë jehonë turizmit në vendin tonë (FOTO)

Koha që zbuti femrën shqiptare…

Erdhi pas vitit 1870. Më para as që mund të mendohej. Në 1827 një piktor zviceran, Ary Scheffer iu desh të përdorte imagjinatën e tij për të realizuar tablonë “Gratë suljote”, për të zhveshur një prej grave shqiptare të veprës së tij. Modele të vërtetë për të pikturuar gjoksin e zbuluar të njërës prej tyre, nuk do arrinte ta gjente kurrë. Me fantazinë e tij ndërtoi simbolin e jetës që ndërpritet me hedhjen e grave në humnerë. Edhe i tillë ky gjoks-simbol nuk u pranua kurrë nga shqiptarët, edhe ca vite të tjera më pas, në 1980 kur studiuesi Ferid Hudhri e zbuloi dhe e botoi për herë të parë tek “Zëri i Popullit”. Kjo do ishte dhe hera e fundit sepse piktura do të censurohej.

Pengesën që ndillte fanatizmi shqiptar e hasi më 1848, piktori anglez Edward Lear, kur erdhi në Shqipëri enkas për të mbërthyer në telajot e tij një grua shqiptare. U mrekullua nga femrat shkodrane që pa, dhe nga kostumet që ato mbanin mbi linjat e tyre. Por nuk bindi dot asnjërën prej tyre. U detyrua ta realizojë tablonë e shumëdëshiruar me gruan e konsullit italian në Shkodër, së cilës i veshi një kostum popullor.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe në këto kohë kur asnjë prej artistëve shqiptar nuk kishte arritur të fitonte një modele prej vërteti, shqiptare. Kol Idromeno do të shënohej në historinë e arteve figurative i pari që do të realizonte figurën e parë realiste në 1883, kur me shumë vështirësi do të arrinte të ulte motrën e tij Tone të pozonte për të, e kur penelit të tij nuk do i shpëtonte ndrojtja e saj, turpi që mbulohet me një cep të shamisë. Piktura do ekspozohej vite më vonë, pas 1950-ës, por edhe atëherë dëshmonte gruan e parë, jo anonime që pozon për një artist, të cilin s’do e pranonte po të mos kish qenë i vëllai. Edhe pse tabuja kishte nisur të lëkundej pakëz, nga dy gra të tjera shkodrane (por që mbetën anonime gjithsesi) që pozuan për francezin Camile Carot për “Gruaja shqiptare” në 1872 dhe për tablonë “Haideja” në 1876. Dy vjet më pas, në 1878, Buchser do të realizonte “Vajza shqiptare” me një tjetër anonime shqiptare. Ashtu si dhe të tjerët, Bucher u favorizua nga koha e romantizmit që nxiti vërshimin e francezëve drejt vendeve të lindjes, dhe çlirimin e femrave shqiptare, që pranuan të pozojnë, por që gjithsesi nuk do të guxonin të zbulonin asgjë, në sytë e artistëve të huaj. Ndërsa Pjetër Marubi, pikërisht në këto kohë, ia kishte arritur këtij qëllimi, atje brenda mureve të studios së tij. Atje në errësirë, një grua malësore, me tipare të ashpra, pozoi për të e zbuluar, ndoshta e bindur se fotografi nuk do e nxirrte sekretin, me të cilin ai dhe Marubët e tjerë pas tij “futën në këtë grackë” edhe disa gra të tjera. Sekreti u ruajt deri në ditën kur një kuriozitet i çmendur gruaje zbuloi gruan e parë shqiptare të zhveshur në sytë e Pjetër Marubit, fotografit që nuk u martua kurrë, për arsye që ende nuk dihen.

LEXO EDHE:  Izraeliti kapet "mat", zbarkon në Rinas 250.000 euro të padeklaruara

marub.jpg

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook