Ballina Dosier DOSSIER/ Përndjekja komuniste ndaj çamëve, zbulohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit

DOSSIER/ Përndjekja komuniste ndaj çamëve, zbulohen dokumentet e Sigurimit të Shtetit

Të pushkatuar, të burgosur, të internuar, pasuri të konfiskuara… Janë mijëra faqe dokumente që dëshmojnë persekutimin e elementit antikomunist në zonën e Konispolit.

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol, ka hapur një ekspozitë me materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes nga ana e Sigurimit të Shtetit, në jugun e vendit.

Shumë prej këtyre dokumenteve ekspozohen për herë të parë. Bëhet fjalë për tema të nxehta, personazhe të shumëlakuar, historitë e të cilëve ende nuk janë zbardhur deri në fund. Flitet për emra si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë, për të cilët numërohen disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë të tyre dhe më gjerë.

beqo-plaku

Mësohet se për të ngritur këtë ekspozitë, e cila përfshihet në aktivitetet e “Javës Çame”, AIDSSH-ja e ka përqendruar kërkimin mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946- 1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit. Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar. Veç dosjeve të deklasifikuara, dokumenteve dhe fotove arkivore që shfaqen për herë të parë, bashkëpunimi me Arkivin Qendror Shtetëror mundëson korrespondencën e një pjese të të dënuarve me Komitetin Qendror të PPSHsë, ku hidhet dritë në aspektet që çuan në dënimin e tyre.
dalla

Po ashtu, “letra të popullit” në mbështetje të dënimit të grupit të Teme Sejkos. Sipas Altin Hoxhës, anëtar i Autoritetit, “Janë qindra dosje, disa dhjetëramijëra dokumente, qindra mikrofilma, që pasqyrojnë intrigat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe gjithë makinerisë totalitare që regjimi komunist ndërmori ndaj më shumë se 150 personave dhe familjarëve të tyre në zonën e Konispolit, ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”.

LEXO EDHE:  Prekëse/ Iu vra nga Sigurimi i Shtetit, vajza sheh për herë të parë fytyrën e babait

Janë këto dokumente që evidentojnë viktimat, të ekzekutuarit, torturat në burgjet komuniste, mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara”.

412

Përmes materialeve të ekspozuara në ambientet e AIDSSH-së dhe që do të jenë të hapura për publikun deri në datën 22 qershor, tregohet se si goditja e elementit me kontribute antifashiste në jug të vendit nisi që në vitin 1946, me dënimin e Rexhep Plakut, themelues i batalionit “Çamëria” dhe vijoi në mënyrë të përshkallëzuar me dënimin e admiral Teme Sejkos dhe “grupit të tij” në 1961, që legjitimoi prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Deri në vitin 1973, terrori u shtri në dhjetëra emra e familjet e tyre, duke e shënjuar për disa breza fatin e një bashkësie të tërë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook