Ballina Dosier DOSSIER/ Rrëfehet vëllai i Mehmet Shehut: Si më provokoi sigurimi i Enverit...

DOSSIER/ Rrëfehet vëllai i Mehmet Shehut: Si më provokoi sigurimi i Enverit në mes të Vienës

Pavarësisht se në Kanadanë largët janë të paktë në numër miqtë dhe shokët e tij, Duro Shehu, ndihet mirë që bashkë me ta risjellin detaje të ndryshme nga historia e Mehmetit dhe tragjedisë së tij.

Ai ka rrëfyer përjetimet e trishta nga dita e mortit të të vëllait, vdekja e të cilit vijon të mbetet një nga ngjarjet më misterioze të regjimit komunist, si dhe provokimin që i ka bërë Sigurimi i Shtetit Shqiptar në Vienë.

Ju ndodheshit jashtë shtetit kur vrau veten Mehmet Shehu?
Jo, kisha vetëm dy ditë që isha kthyer nga Austria.

Kuroheshit në Austri…
Kisha shkuar aty nga fundi i tetorit 1981. Pra, në kulmin e konfliktit midis Enverit dhe Mehmetit, që edhe pse i rezervohej opinionit, përflitej gjithkund në mjediset e zyrtarëve partiakë. E ndeva këtë edhe në Vjenë, madje që në takimin e parë me personelin e Ambasadës që më priti ftohtë. Acari i marrëdhënieve të tronditura në Tiranë kishte mbërritur edhe atje. Diplomatët, për natyrën e punës që kryejnë, me sa duket ishin njoftuar për këtë histori të pazakontë.

Se bëhej fjalë për përplasjen e numrit Një me numrin Dy të regjimit. Me ambasadorin Musin Kroi dhe sekretarin e parë të Ambasadës Engjëll Koloneci, pinjoll i familjes së Teki Kolonecit, krushkut të Enver Hoxhës, isha njohur dhe më parë dhe kisha pasur raporte të mira, po me sa duket këtë radhë ata ishin futur në njëlloj sikleti. E kuptoja shumë mirë pozicionin e tyre dhe mundohesha që të kisha kontakte sa më të pakta, jo vetëm për t’i ruajtur, por edhe për t’i shpëtuar syrit të njerëzve të Sigurimit, që më gjurmonin ngado nëpër Vjenë. Se të them të drejtën kam pasur jo pak provokime nga njerëzit e këtij kallëpi.

LEXO EDHE:  Luana Vjollca rrëfen historinë e trishtë të jetës së saj

Ju kanë provokuar njerëzit e Sigurimit në Vjenë?
Ata më kanë gjurmuar këmba-këmbës gjatë gjithë kohës që qëndrova aty. Po nuk kanë munguar dhe provokimet nga sejmenët e tyre…

Kur thoni ju kanë provokuar, çfarë keni parasysh?
Më kanë ndodhur ngjarje nga më befasueset gjatë qëndrimit në Vjenë. Ngjarje që inicioheshin nga profesionistët e zbulimit sekret. Mjafton t’ju kujtoj një të tillë për të kuptuar sjelljen misterioze të këtyre njerëzve që dirigjoheshin nga zbulimi politik i Tiranës. Më 29 nëntor 1981, Ambasada jonë atje organizoi një pritje me rastin e festës së çlirimit. Si zakonisht, në të tilla evente ishin ftuar diplomatë të akredituar në Vjenë, miq të Shqipërisë dhe bashkëkombas që jetonin atje. Njëri nga punonjësit e Ambasadës më njoftoi dhe mua të merrja pjesë.

Fillimisht hezitova, por këmbëngulja e tjetrit më bindi dhe shkova. Shkova, por më doli ajo që nuk e prisja. Një çast, gjatë ceremonisë, teksa qëndroja me familjarët e personelit të Ambasadës, m’u drejtua një burrë shtatlartë me mustaqe. Si u përshëndetëm, më pyeti për Mehmetin. “Si e kemi Kryeministrin me shëndet, se kemi dëgjuar që ka qenë sëmurë?”. Aty për aty u mundova të dredhoja, duke i thënë se më kishte ngatërruar me ndonjë tjetër. “A s’jeni ju Duro Shehu, vëllai i Kryeministrit?!”, ma ktheu ai me një shqipe të pastër të dialektit kosovar. Mbeta ngushtë dhe nuk dija çfarë të bëja.

Në rrëmujë e sipër u largova pa rënë në sy. Tërë natën nuk e vura syrin në gjumë. Çfarë ishte ky kosovari që interesohej për shëndetin e Mehmetit. Të nesërmen pyeta një shok të Ambasadës se kush ishte ai kosovari që u takua me mua. Ai më tregoi se është një mik i mirë nga Kosova që kishte ardhur bashkë me vëllain nga Gjermania. Kjo ngjarje e papëlqyeshme më bëri që të kërkoja kthimin në Tiranë, mirëpo zyrtarët tanë atje më detyruan të vijoja kurimin. Ashtu bëra. Në Tiranë u ktheva më 15 dhjetor 1981. Gjatë gjithë udhëtimit jam ndjekur nga afër nga njerëzit e policisë sekrete… /Panorama

LEXO EDHE:  "Si do të më ekzekutojë mafia?", shokon Artan Hoxha, zbulon skenaret e mundshëm: Ja ç'do të ndodhë...

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook