Ballina Dosier DOSSIER/ Si ishte jeta e grave ordinere në kampet e riedukimit, nga...

DOSSIER/ Si ishte jeta e grave ordinere në kampet e riedukimit, nga mungesa e burrave te…

Askush më mirë se ato që e kanë jetuar, nuk mund ta përshkruajë përjetimin e dhimbjen e përditshmërisë nëpër burgje apo kampe riedukimi, siç është rasti ynë.

Të përshkruar me detaje siç mund ta ndiente e jetonte një grua që ishte për vite aty, e ka sjellë Lekë Tasi.

Shkrimtari ka shkruar atë që motra e tij, Tefta, i ka treguar pas daljes nga kampi i përqendrimit. Detaje që sot as nuk kuptohen, as nuk përfytyrohen…

Kati i parë përdhe i ndërtesës së madhe të ordinereve kishte imoralet dhe përsëritëset, i dyti vjedhëset dhe i treti vrasëset. Meqë ordineret ishin shumë, mensën e madhe që lidhte dy ndërtesat e kishin vetëm ato. Kuzhina mes dy mensave ishte e përbashkët për të dyja kategoritë. Në ndërtesën më të vogël të politikaneve, katin përdhe e zinte pjesërisht mensa dhe pjesën tjetër zyra e riedukimit dhe dyqani.

Fjetoret ishin në katin e dytë, por me shkallë të veçantë të jashtme; pjesën tjetër të katit të dytë e zinte infermieria me një klinikë me pak shtretër dhe një magazinë rrobash, por këto e kishin hyrjen dhe shkallët te hyrja kryesore në drejtim të hyrjes së kampit dhe po këtej duhet të kaloje për të hipur në katin e tretë, ku ndodheshin sallat e shkollës (kurse profesionale ku vajzat e reja merrnin zanate, e vetmja gjë që mund të justifikonte cilësimin e kampit riedukues). Banjat e nevojtoret ishin nga ana e prapme, në katin përdhe, kështu duhet të bëje gati një rrotullim të ndërtesës në trotuar për të vajtur.

Përtej telave, kush dilte nga kampi, kishte në të majtën e tij komandën, një ndërtesë dykatëshe, por e madhe dhe e ndërtuar në vend të lartë e me verandë, kështu që dilnin oficerët te dyert e zyrave e dominonin oborrin brenda telave si nga një ballkon. Kurse në anën e djathtë të rrugës, në një vend të ulët, ishte shtëpia ku priteshin vizitat për të burgosurat dhe ku këto të fundit kontrolloheshin kur hynin së pari në kamp, ndërsa më tëhu, ngjitur me telat, ishin banjat e komandës dhe më poshtë, magazinat e veglave. Përtej shtëpisë së vizitave ishte një barakë e thurur me gardh: Punishtja e Telave me Gjemba. Gratë i grumbullonin drutë e zjarrit gjatë ditës në fushë.

Mirëpo, ndodhte që të shtunave, tamam ditën para së dielës, kur mund të lanin rroba, komanda e ndalonte mbledhjen e druve, kështu që jo rrallë të nesërmen në mëngjes, pak mbas çangës së mëngjesit, nga vendi prapa kuzhinave personale, ku gratë vinin rezervat e druve, fshehur diku, dëgjoheshin britma të dëshpëruara: “O e mjera unë, më paskan vjedhur drutë”. Ky rrezik i detyronte disa prej tyre t’ mbështillnin drutë me plastmasë fort t’i kyçnin me dry te telat e ndarjes me pjesën ordinere.

Një tjetër surprizë e hidhur e jetës në kamp ishte kontrolli i plaçkave. Shpesh, mbasi dilnin forcat në fushë, me t’u bërë leximi i mëngjesit, pa asnjë paralajmërim, i kyçnin gratë e brendshme në mensë, ku i linin të kalonin ditën pa dalë fare dhe pa bukë kë donte të gatuante, madje edhe pa vajtur në banjë, deri në orën që do të ktheheshin forcat nga fusha. Në të gjithë këtë kohë kontrolloheshin krevatet në fjetore nga gardianet për të gjetur ndonjë gjë të vjedhur, të ndaluar ose për të parë pastërtinë.

LEXO EDHE:  12 kushtet kryesore që ju të fitoni respektin e të tjerëve

Kur ktheheshin gratë nga puna, vetëm atëherë lejohej hyrja në fjetore. Të gjitha nguteshin për t’u larë dhe njëkohësisht për të parë çfarë i kishte ndodhur mallit të vet, atje të futur nën dyshek ku detyroheshin ta fshihnin, dhe këto ishin ditë konfuzioni të mëdha, ku shumë humbisnin ndonjë gjë të domosdoshme ose të nevojshme. Kurse kontrolli i valixheve bëhej zakonisht të dielave dhe zinte gjithë paraditen, duke ua kthyer ditën e pushimit në ditë rrëmuje dhe ankthi.

Personeli

Gardianet ishin vajza 20-30 vjeç, jo të vrazhda në përgjithësi, por silleshin sipas udhëzimeve; u bërtisnin grave vazhdimisht, shpeshherë edhe pa vend, veç për t’i mbajtur në tension. Rrethimin me tela të kampit, të ndriçuar gjatë natës, e ruanin nënoficerët me automatikë. Ata patrullonin vazhdimisht. Ata vinin edhe në fushë dy për çdo ditë, me radhë, një për çdo dy brigade. Zinin pozicion lart në kodra, të pajisur edhe me dylbi. Ata merrnin me vete edhe hekura. Ndodhte që ndonjë ordinere ta kishin lidhur në fushë për grindje ose mosbindje.

Kur thoshte komisari ‘silluni mirë’, fjalën e kishte te grindjet e shumta, vjedhjet, te puna e te fjalët, por edhe te veset që lulëzonin aty, jo vetëm falë ngushticës dhe mungesës së burrave, por edhe një prirjeje të vjetër sa vetë bota. Këto vese praktikoheshin nga shumë prej tyre, brenda tyre, si për inat të emrit që i kishin ngjitur këtij burgu “Kampi i Riedukimit të grave”. Marrëdhëniet e jashtëligjshme kishin anën e tyre sentimentale. Xhelozia, rivalitete, grindje, ripajtime, por edhe atë social-ekonomike, shfrytëzimin e partnerit të dobët.

Ana e parë binte në sy, e dyta bëhej më në heshtje. Figura më e shquar në këtë fushë ishte një ‘tironse’ e dënuar rëndë, që i trajtonte disa ‘shoqe’ me prepotencë të madhe dhe në rastet kulminante, me një gjuhë jashtë mase të shthurur. Ajo përbënte polin magnetik të një rrethi të rejash me të njëjtën prirje sado që me shenjë algjebrike të kundërt. Ajo nuk kishte ndonjë fizionomi burrnore, përkundrazi ishte një bardhoshe me tipare delikate dhe dallohej dhe për një gjë tjetër; e ndiente së tepërmi ndrydhjen e burgut dhe këtë vuajtje të saj e shfrynte të tërën mbi spiunet e servilet, të cilat nuk i shihte dot me sy.

Kur u prish një herë me favoriten e saj, që për çudi kishte qenë edhe provokuesja e saj në birucë, e rrahu keq dhe ia nxori të gjitha të palarat ç’dinte për të, faqe të gjithëve, një shfryrje spektakolare që la të shtangura edhe gojështhururat më në zë që u ndodhën aty, por që përfundoi vonë me një risistemim mes tyre.

Takimet me familjen

Takimet me familjen bëheshin pas punës ose të dielave në ndërtesën jashtë telave, në prani të një nënoficeri ose të një gardianeje. Ardhja e kujtdo për një takim bëhej lajm i ditës. Duke u kthyer nga fusha, gratë e para të kolonës, viheshin në kontakt me të papunat brenda telave dhe lajmi pasohej më i shpejtë, deri në fund të rreshtit që gulçonte akoma nëpër baltra: “Filanes i kanë ardhur nga shtëpia!”. Kurse kur vinte autoburgu, makina e mbyllur e burgut, kureshtja ishte, ose “Ka ardhur filanka” për ndonjë mall të njohur që kishte rënë përsëri në lak.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Cristiano Ronaldo inkurajon tifozët shqiptarë të thërrasin Messi! Messi!

Lakmia për fjalë, për lajme, ishte e madhe, një etje e vërtetë që ngopej me gllënjka spasmodike nga goja e njërës te veshi i tjetrës, tejpërtej, derisa trupi i hallakatur i burgut t’i mësonte të tëra. Ky ishte çasti për të kënaqur kureshtjet, por edhe në të cilin merreshin goditjet, shpesh ndonjë mandatë… Kishte gjallëri, të qeshura sipas moshave dhe natyrës së secilës. Por gjokset vuanin, ndonjëra mundohej dhe të mos përlotej kur merrte vesh se i shoqi ishte martuar, ose që i biri s’kishte pyetur fare për të dhe të rejat, që dashnori bridhte me një tjetër.

Shkurt, këto takime që u sillnin aromën e lirisë, ishin intensive dhe kush donte të shihte njerëz në dhembje, aty kishte rast të vrojtonte. Kjo që thamë ishte një pamje e përmbledhur. Në detal puna ishte më e qetë. Secila e merrte për kafe të porsaardhurën në qoftë se e njihte, qoftë pak dhe në muhabet e sipër informohej. Prej atij momenti, fjala hapej shpejt ose më ngadalë, te kushdo që interesohej.

Mensa dhe gjellët e pangrënshme

Ushqimi në kamp, për atë që vinte nga biruca, dukej i mirë, por me kohë bëhej i mërzitshëm. Të gjitha gjellët ishin në formë supe (spinaq, me qepë, presh, domate fasule kunguj etj.). Kuptohet që të gjitha ishin me fare pak yndyrë. Një muaj në vit jepnin vazhdimisht makarona, mëngjes e drekë. Darka ishte gjithmonë çaj. Ato që punonin, në parim duhej të hanin mish dy herë në javë, por kjo nuk zbatohej përherë. Mishi zihej, por nuk shpërndahej i tëri; ordineret e kuzhinës, pjesët më të mira ia kalonin paraprakisht shoqeve të tyre të partisë që i përkisnin seksionit të vjedhjes dhe të vrasjes. Tri gra, një sovjetike, një hungareze dhe një grua e vjetër, kishin akoma nënshtetësi të huaj.

Shteti u bënte trajtim të veçantë dhe privilegji mbi të tjerat konsistonte në 800 gr bukë, në vend të 600 gr që u takonte të papunave, racion më i madh mishi dhe yndyrë më shumë në gjellë. Funksiononin dy kazanë, njëri për punëtoret dhe tjetri për të papunat. Kazani i të dytave ishte fare lëng, kështu që gratë pa ndihmë nga shtëpia, mbasi kishin punuar një jetë të tërë, me të mbushur moshën e daljes nga puna, degradoheshin automatikisht nga kazani i parë tek i dyti dhe duhet të kënaqeshin me të, veçse në qoftë se vendosnin të vazhdonin me kolonat e punëtorëve drejt fushës nga nevoja e ushqimit. Për të shpëtuar nga kjo dekadencë ushqimore, ishte gjetur një rrugë e mesme për një grua të vjetër.

Komanda e kishte ngarkuar të korrte bar me drapër, jo në fushë, por në parcelat brenda rrethimit. Kjo grua kishte qenë gjellëbërëse e ambasadës në Moskë. Askush nuk e dinte përse ishte dënuar rëndë, por në fakt është që s’doli as me këtë amnisti. Në fillim, dyqani në katin e tretë të politikaneve shiste vetë disa prodhime të dorës së dytë të perimores. Ndonjëra që s’kishte ndihmë nga shtëpia, pra, pa lekët, shkarkonte karrocën dhe si shpërblim fitonte ca domate.

LEXO EDHE:  Aksidenti i kobshëm në Kamëz, nëna e 7-vjeçares që vdiq në aksident kërkon të shohë vajzën për herë të fundit

Por më vonë erdhi një shtrëngim i fortë që i hoqi disa artikuj nga dyqani, i cili mbeti pa asgjë. Ato që kishin ndihmë nga shtëpia mund të gatuanin. Këtu dalloheshin ato të katit të tretë të ordinereve, vjedhëset, të cilave u vinin gjithfarë gjërash dhe me bollëk, gjalpë, mjaltë etj. Mund të plotësoje ushqimin gjithashtu duke blerë në dyqan çdo gjë ushqimore, përveç frutave që ishin zhdukur.

Kamja dhe skamja në kamp arrinin në ekstrem; mënjanë bukë gjellë e byrekë që mykeshin e hidheshin poshtë, në anën tjetër uri për copën e bukës. Këto bashkëjetonin rehat fare, pranë e pranë, por së paku në pallatin e politikaneve uria durohej me dinjitet. Tortura më e bezdisshme në fushë ishin sytë e ordinereve të reja kur hahej vakti i orës 10. Shumica e tyre hanin pjesën e bukës që në mëngjes dhe tani rrinin mënjanë, duke i marrë ndonjë cigare njëratjetrës ose duke mbledhur fshehtas në tokë një bisht cigareje që e hidhte një e kamur.

Jeta e përditshme

Zgjimi bëhej në orën 5, dimër e behar. Të dielave, në orën 6. Ngriheshin, visheshin me rrobat e punës, rregullonin shtratin. Çdo lëvizje e grave ishte e racionuar në kohë. Rreshtoheshin të katër brigadat, numëroheshin dhe në orën 6 niseshin për punë. Ndërkohë, të papunat, rreshtoheshin në trotuar, numëroheshin dhe ato dhe hynin në mensë për të dëgjuar leximin dhe për të ngrënë mëngjesin. Por, ndonjëherë përgjegjësja e magazinës dhe pastrimit të mensës kyçte atë dhe gratë detyroheshin të hanin jashtë, si të mundnin, në tokë.

Më vonë dolën mangët gjëra ushqimoreje nëpër valixhe dhe kështu përgjegjësja e mensës kaloi pastruese në nevojtore dhe vendin e saj e zuri një infermiere e re e dënuar me gjithë të motrën për helmim të një kopeje lopësh. Brigadat e punëtoreve punonin gjithë ditën nën urdhrat e brigadiereve, të vëzhguara afër nga gardianët dhe të ruajtura nga larg me mitraloza të lehtë prej rojeve. Ishte avantazh i madh të kishe shoqe një nga ato që rrinin në kamp.

Kur ktheheshe nga puna, e gjeje gati një kovë ujë të ngrohtë. Ajo gjithashtu mund të të zinte radhë te banjat dhe gjë me rëndësi ishte që mund të ruante kovën me rrobat që zienin në faqe të kodrës, nga rreziku i vjedhjes së ujit me gjithë milvë, prej ndonjërës. Në dhomat e gjumit, krevatet nga ana e dritareve, ishin rreshtuar si kunjat e krehrit, kurse në murin përkundruall ishin radhitur gjatazi në një rresht të pandërprerë. Ata ishin të hekurt dhe të dyfishtë, poshtë e lart.

Të gjitha gratë lakmonin shtretërit poshtë sepse vinin të rraskapitura nga rruga dhe më atletja prej tyre e kishte të rëndë, që me atë lodhje të bënte manovrën sikur ngjitej në një paralele për t’u shtriqur pak. Kurse kush ishte poshtë, lëvizte më lehtë, ngrihej, ulej sa herë donte dhe e shtronte shtratin kollaj.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook