Ballina Dosier Kush ishte Teki Kalemasi, aspiranti nga Skrapari që zmbrapsi grekët në Vidohovë...

Kush ishte Teki Kalemasi, aspiranti nga Skrapari që zmbrapsi grekët në Vidohovë në 1949

Teki Kalemasi është një nga 29 ushtarët dhe oficerët që dhanë jetën për të mbrojtur tokën shqiptare nga provokacionet e ushtrisë greke në gusht të vitit 1949.

Megjithëse sulmet e ushtrisë greke vazhdojnë të justifikohen si sulme dhe goditje të partizanëve (andartëve) grekë që gjoja fshiheshin në tokën shqiptare, pa dyshim që sulmet ishin që në fillim të organizuara nga ushtria greke, e cila po bënte përpjekje në vitet e para pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore për gjunjëzimin e Shqipërisë dhe realizimin e ëndrrës së vjetër të Vorio-Epirit.

Ndonëse kanë kaluar 65 vjet nga provokacionet që u shënuan kryesisht në fshatrat Vidohovë dhe Bozhigrad (Miras), shumë njerëz janë gjallë dhe e mbajnë mend fare mirë jehonën e atyre ngjarjeve dhe përgjigjen e merituar për monarko-fashistët grekë. Duhet theksuar se ushtria shqiptare sapo kishte dalë nga lufta dhe ende nuk ishte konsoliduar në atë masë që t’i bënte ballë ushtrisë greke, e cila kishte avantazh numerik në njerëz dhe armatim shumë më të mirë se fqinjët e saj veriorë.

Qëndresa dhe luftimet e ashpra në 12 ditë me radhë, nga data 2-14 gusht 1949, treguan se shumë efektiva ushtarake të vendit, të cilët sapo kishin hedhur hapat e para në karrierën ushtarake, ishin gati të vdisnin për të mos lëshuar asnjë pëllëmbë tokë ndaj pushtuesve grekë. Një nga këta ishte edhe 25 vjeçari Teki Kalemasi. Ai u vra në luftë për mbrojtjen e kufirit shqiptar në Vidohovë të Devollit në 2 gusht 1949.

Kush ishte Teki Kalemasi
Teki Kalemasi lindi në vitin 1924 në një fshat malor në zonën e Tomorricës, në Skrapar. Ai lindi në Melovë dhe ishte djali i madh i Zenun Kalemasit. Ngjarjet e viteve ‘40 në vendin tonë nuk kishin si ta linin indiferent Tekiun, i cili rridhte nga një familje me tradita atdhetare dhe patriotike. Në këtë mënyrë në fillim të viteve ‘40 ai bëhet pjesë e çetës së Skraparit, ndërsa në vitin 1943 është pjesë e brigadës 16 Sulmuese.

LEXO EDHE:  Boks/ Shqiptari Ferit Keta shpallet kampion i Gjermanisë

Ai është dalluar sidomos për luftimet e tij në qafën e Koshovicës në Fier në vitin 1944. Mbarimi i luftës bëri që për Tekiun të mendohej që ai të ishte pjesë e ushtrisë duke i ofruar atij vazhdimin e kurseve që u hapën menjëherë pas luftës në Tiranë. Pas pjesëmarrjes në kurset ushtarake, Teki Kalemasi mori gradën Aspirant dhe u emërua komandant toge në Pogradec.

Në kohën që karriera e tij sapo kishte filluar të merrte udhë, vijnë ngjarjet e gushtit 1949. Disa muaj para këtyre ngjarjeve Tekiu ishte martuar në fshatin e tij të lindjes dhe kishte menduar që bashkëshorten e tij ta merrte në Pogradec, ku ishte me detyrë.

Kujtimet e vëllait të tij, Qenamit
Qenam Kalemasi është 84 vjeç (në kohën kur është bërë intervista (viti 2014), pasi aktualisht nuk jeton më). Prej disa vitesh ai është larguar nga Skrapari dhe është banor i fshatit Rrashbull në Durrës. Qenami është 6 vjet më i vogël se vëllai i tij që u vra në Vidohovë të Devollit në 2 gusht 1949. Ai kujton tani pasi kanë kaluar 65 vjet nga ajo ngjarje se edhe ai vetë ishte larguar nga fshati i lindjes, Melova.

“Unë si i ri që isha punoja vullnetarisht në hekurudhën Durrës-Tiranë që po ndërtohej në atë kohë. Mbaj mend se ishim duke punuar në Kashar në atë kohë. Qëlloi një herë që në shtëpinë tonë në Melovë të ishim të dy, unë dhe Tekiu, i cili kishte ardhur me leje. Në bisedë me babanë e dëgjova se i tha: Na kërcënohet një rrezik i madh nga grekët. Unë e di se duhet të kujdesem për ty, por nëse do të jetë nevoja do të shkoj të luftoj. Po shpëtuam nga ky siklet, do të kthehem që t’ju marr të gjithëve”.

Tekiu iku në Pogradec dhe që andej, batalioni ku ai ishte komandand i një toge, u vu në mbrojtje të kufirit shqiptar në zonën e Devollit dhe Korçës. Qenami shton se edhe ai u rikthye tek puna e tij për ndërtimin e hekurudhës dhe në kohën që nisi lufta në kufi dërgoja shpesh telegrame me përgjigje të detyruar.

LEXO EDHE:  Rama: Sheshi "Skënderbej", xhevahiri i Rilindjes Urbane (VIDEO)

“Kam nisur shumë telegrame ato ditë, por asnjë prej tyre nuk më erdhi, nuk e dija se çfarë po ndodhte, nuk dija asgjë për vëllain tim, me të cilin u ndava në fshat dhe që e pashë aq të mërzitur”, kujton Qenami.

Lajmin e vrasjes së Tekiut në luftë Qenami e mori pas disa ditësh. Ai u kthye në shtëpinë e tij në Melovë të Skraparit, ndërkohë që njerëzit e shumtë që rrinin brenda dhe jashtë e bënë që në mendjen e tij të vinte fluturimthi lajmi i keq. Tekiu ishte vrarë në datën 2 gusht në Vidohovë. Lajmin e rënies së tij në luftë babit të dëshmorit e solli xha Pelua. Ai qe i detyruar t’i jepte i pari lajmin e keq Zenunit, babait të Tekiut dhe Qenamit. Ky i fundit kujton se Zenuni kur e pa xha Pelon që po i drejtohej pas marrjes së telegramit i tha: Qenka bërë puna?, ndërsa Pelua ia ktheu: Mortaja që të ra ty dhe mua bashkë! Në shtëpinë e Zenunit u shpall zia, ndërsa dëshmori i kësaj familje u varros bashkë me të rënët e tjerë në Vidohovë, ndërsa pas një viti trupi i tij u rivarros me nderime të mëdha në varrezat e dëshmorë në Çorovodë.

Çfarë kujtojnë dëshmitarët e luftimeve
Në librin e  parë të shkruar për ngjarjet e gushtit të vitit 1949 Resul Bedo, pjesëmarrës në këto luftime, përshkruan pjesë nga luftime të ndryshme që janë bërë në Vidohovë dhe Bozhigrad për marrjen e kuotës 1309. Resul Bedo në librin e tij “Ky vend ka zot” kujton për komandantin e togës, Aspirant Teki Kalemasi: sapo arrita në vendin ku kishte zënë pozicion toga e komandant Tekiut, iu drejtova një ushtari. Ai më tregoi për vendin ku ndodhej Tekiu. I fola, ai ktheu kokën dhe vuri gishtin në buzë. Siç dukej desh të më thoshte “E shikon që po vijnë?” Kur më  dha të njohur qeshi dhe heshti.

LEXO EDHE:  Viti 1940, koha kur grekët kërkuan ndihmën e shqiptarëve: Bashkohuni me ne! Rreziku është i përbashkët (Foto)

Gjendja e tij shpirtërore shprehej në fytyrë. Ndjente në trup një fuqi të dhjetëfishuar dhe mund të matej pa frikë, burrërisht me cilindo nga armiqtë që e mësynin. Ishte gati të shembte male. Dy luftëtarë dhe komandanti i togës qëndronin pranë mitralozit. Shënuesi, një ushtar nga Burreli, i vuri në gojëz shiritin me fishekë mitralozit pastaj mori shënimin dhe me kujdes nisi të fiksonte mekanizmat.

Si gjithë luftëtarët e tjerë edhe ai qe gati, priste vetëm komandën për zjarr. Por ajo po vonohej dhe ishte vonuar aq shumë, sa shumë nga luftëtarët ishin çuditur. Çfarë pret akoma aspiranti, përse nuk e jep akoma komandën? Këto pyetje duket sikur bënte tërë efektivi i togës. Këto pyetje bluaja në mendjen time edhe unë dhe iu afrova në krahun e majtë aspirant Tekiut. -Erdhët? – më tha, sapo më pa. Si i ke punët? –Shumë mirë shoku toger, mos ki merak. Kishte shpëtuar për mrekulli toga e Tekiut. Po tani si do ti vinte filli? E sulmonin dy kompani, ndoshta më shumë. Kur do ta nisësh? –i thashë Tekiut. Do ti lë të vijnë tek kulprat e bardha. I kam porositur vetë ushtarët, do të shtjerë gjithë toga me batare. Pas bataresë së dytë do të hedhim granatat. Armiqtë shiheshin açik. Dalloheshin stemat e tyre, pullat e kostumeve, llojet e armëve që mbaheshin në duar, vezmet e varura me një rrip të hollë në qafë dhe fytyrat e tyre të zbehura. Rreshti i tyre lëvizte. Po afroheshin më shumë, u merreshin këmbët, u qenë skuqur sytë, ishin të pirë e të egërsuar dhe thërrisnin si çakej. Komandant Tekiu e dha komandën fare i qetë: Toga! Me batare, zjarr! Pylli oshtiu dhe oshtima si valë qarkulloi nëpër luginë. Armët u mbushën sërish dhe Tekiu prapë komandoi: Zjarr!

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook