Ballina Dossier Si e nisi revoltën e Spaçit infermieri 31-vjeçar

Si e nisi revoltën e Spaçit infermieri 31-vjeçar

Infermieri 31-vjeçar Pal Gjergj Zefi, kishte më pak se dy vjet që vuante dënimin në kampin e Spaçit.

Me vendimin nr.133, datë 28.10.1971, Gjykata e Rrethit Durrës e kishte deklaruar fajtor për agjitacion e propagandë duke e dënuar me 10 vjet heqje lirie së bashku me një shtetas tjetër.

Nga zhvillimi i gjyqit dilte se kishte thënë se partia më tepër kujdesej për stallat e lopëve sesa për njerëzit.

Kundër të pandehurve ishin vënë 32 fletërrufe para se të dënoheshin.

Pal Zefi ishte dënuar nga komanda e kampit të Spaçit me një muaj izolim biruce.

Kjo masë jepej nga komanda në raste e shkeljeve disiplinore. Kushtet në birucë ishin shumë të këqija sepse zgjidheshin vendet më të këqija të kampeve apo burgjeve.

Të izoluarve u jepej natën vetëm një batanije, e cila iu hiqej në mëngjes. Pikërisht në orën 5.00, në kohën kur nënoficeri do t’i hiqte batanijen, Pal Zefi mundi t’i ikë nga duart e të bashkohet me të dënuarit e tjerë, të cilët nuk i lejuan rojet ta marrin atë. Pikërisht kështu nisi revolta e Spaçit.

Pas fillimit të revoltës, komisari kampit Shahin Skura dhe kryetari i Degës së Zbatim Vendimeve Penale Sulejman Manoku (i cili ndodhej çuditërisht atje), i bënë thirrje të dënuarve të dorëzoheshin. Në orën 15.30 të datës 21 maj 1973 mbërriti grupi operativ i DPB Mirditë i kryesuar nga prokurori i rrethit Zef Deda, shefi policisë së rrethit oficer Rexhep Karaj, shefi seksionit të sigurimit oficer Gjergj Zefi dhe hetuesi Shaban Dani. Gjatë këtij veprimi punonjësit tonë që kryen arrestimin u shoqëruan nga një turme të dënuarish dhe ndërmjet tyre Dervish Bejko, thirri: “Mos e arrestoni more të poshtër”, duke u bërë zhurmë edhe nga të tjerët.

Të dënuarit filluan të hedhin parulla si: “Ja vdekje ja liri”, “Rroftë Shqipëria e Lirë”, “Ne nuk punojmë as sot as mot”, “Ju jeni katila dhe keni lyer duart me gjakun tonë”,”Ushtria është me ne” , “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë dorëzoni armët”, “Ju do të vini këtu se ju është ngushtuar rrethi”, “Do t’ju djegim si Stalini”, “Mos u gënjeni se kurrë në botë nuk do të fitojë komunizmi”, “Poshtë komunistët”, “Rroftë Europa e lirë”, etj.

LEXO EDHE:  Presidenti Meta në 45-vjetorin e Revoltës së Spaçit: Një ditë kujtese, por edhe reflektimi!

Disa nga të dënuarit si Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fiku, filluan të mbajnë fjalime e recitojnë poezi me përmbajtje kundër regjimit, thirrje për kryengritje, etj.

Rreth orës 3.00 të datës 22 maj 1973 ne vendin e ngjarjes mbërriti grupi operativ i MP Brendshme, i drejtuar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme Feçor Shehu, drejtori i Policisë Kasem Kaçi, etj. Në mëngjes u konstatua se në godinë qëndronte flamuri kombëtar pa yllin komunist. Feçor Shehu në emër të ministrit kërkoi të dorëzoheshin. Revolta u shtyp me ndërhyrjen e forcave të regjimit në mëngjesin 3 datës 23 maj, pasi të dënuarit ishin lënë pa ujë e pa ushqim. Dashnor Kazazi, Skënder Daja, Jorgji Papa e Dervish Bejko “e ndonjë tjetër” me hekura e me dërrasa në duar hipën mbi tarracë duke bërtitur kundër forcave të regjimit. Nga përplasja u plagosen 5 të dënuar dhe 2 policë.

Ministria e Punëve të Brendshme, nxirrte si arsye të revoltës tre shkaqe kryesore:

1-Ngjarja që ndodhi është një revoltë e plotë kundër partisë e pushtetit.

2-Doli qartë ashpërsia klasore e armiqve, urrejtja e tyre deri në brutalitet gjakatar kundër rendit socialist, kundër udhëheqjes së partisë në tërësi dhe të organeve të punëve të brendshme në veçanti.

3-Elementi që përbën këtë kamp në tërësi është armik klase, bile nga me gjakatarët, të dënuar për tradhti ndaj atdheut, prejardhja e tyre në shumicën është nga të deklasuarit, të cilët që gjatë LANÇ-it e deri sot janë në përpjekje të vazhdueshme me rendin tonë shoqëror.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook