Ballina Dosier DOSSIER/ Zbulohet raporti sekret i Ministrisë së Brendshme: Ja të dhënat e...

DOSSIER/ Zbulohet raporti sekret i Ministrisë së Brendshme: Ja të dhënat e agjentëve që përgjonin….

DOSSIER/ Nga Afrim IMAJ
Liderët e shpallur rishtas antiparti, para se të shkonin përballë skuadrës së pushkatimit, apo në ferrin e burgjeve të komunizmit, degdiseshin familjarisht për muaj me radhë në zonat më të thella të vendit. Tashmë, me statusin e të internuarit, viktimat e shefit të regjimit, që për momentin s’u shkonte mendja për më keq, bëheshin objekt i shërbimit të fshehtë që i ndiqte këmba këmbës dhe plotësonte provat për t’i kaluar nga dëbimi politik në dënim penal. Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu kanë qenë ndër të parët që kanë rënë pre e kësaj skeme djallëzore. Të përjashtuar nga Partia dhe forumet e larta të saj në mesin e viteve ’50, ata u dëbuan nga Tirana dhe u vendosën në izolim, në zonat e skajshme të Beratit dhe Elbasanit.

tuk-jakova

 

 

Aty pastaj u vunë në shënjestrën e operacioneve sekrete të sigurimit të shtetit, që i përgjonte fshehtas për të regjistruar çfarë mendonin dhe flisnin kundër Partisë dhe regjimit të diktaturës së proletariatit. Në rastin e tyre, si të dënuar VIP, nuk mjaftonte për kësi detyrash vetëm vigjilenca e operativit të zonës. Një duzinë e tërë spiunësh e bashkëpunëtorësh, nga më besnikët e armës së sigurimit, ndiqnin nga afër e pa rënë në sy jo vetëm çdo lëvizje, por edhe çdo bisedë e reagim të tyre, shpeshherë të provokuar nga misionarët e fshehtë. Raportet e përditshme të siguruara me këtë mënyrë, shkonin në mbrëmje më zyrat më të larta të shtetit komunist.

Gazeta “Panorama” ka siguruar një të tillë, me autorësinë e ministrit të Brendshëm, i cili vë në vëmendjen e Enver Hoxhës tërësinë e shprehjeve dhe opinioneve antiparti që kanë konsumuar në biseda të ndryshme dy të internuarit politik, ish-zyrtarë të rëndësishëm të shtetit komunist. Dokumenti nuk përmban reagimin e autoriteteve të larta ndaj sjelljes antiparti të Jakovës dhe Spahiut, por fakt është që pas kësaj korrespodence sekrete ata kanë përfunduar në qelitë e burgut. Po çfarë raportojnë tjetër “vigjilentët” e sigurimit për “prapësitë” politike të dy të internuarve VIP….

DOKUMENTI

Ministria e P.Brendëshme Drejtoria e Sigurimit të Shtetit Tiranë, më 3/11 1957

tuk1

Lënda: Disa komente të elementit antiparti Komitetit Qëndror të PP Shqipërisë Këtu po ju shkruajmë shkurtimisht mbi të dhënët që kemi për disa elementë antiparti.

Tuk Jakova dhe Hulusi Spahiu: Në bisedat që kanë bërë kohët e fundit me një njeriun tonë, si Tuku dhe Hulsiu, thonë: “Enveri nuk ka luftuar, nuk e ka parë luftën, ai ka ndenjur i mbyllur etj. Prapaskena e Beratit nuk ka qenë asgjë, vetëm e krijuar nga Enveri. Ai ka vepruar si i ka dash qejfi, ai vuri në grindje Kocin me Lirinë për vendin e dytë. Në Berat Jugosllavët nuk ndërhynë, po të donin ata ndë- rhynin. Po kështu, edhe në plenumin e VIII nuk ka pasur ndërhyrje nga Jugosllavët. Në Plenumin e VIII – thotë Tuku – doli se në kohën e Partisë tonë ka pasur një fraksion dhe kjo është e vërteta., mbasi Enveri dhe Nako Spiru kanë biseduar me njëri-tjetrin, por duke parë këtë situatë Enveri ia la të gjitha Nakos, duke mos i lënë afat të gjatë, u detyrua të vrasë veten dhe kështu i mbulohen Shokut Enver marrëdhëniet që ka pasur me Nakon.

LEXO EDHE:  Shpërblimi për zgjedhjet e 25 qershorit/ Si do të punësohen në shtet militantët e PS që mblodhën më shumë vota

Në Kongresin e I të Partisë – vazhdon Tuku – u tha se Enveri ka qenë i izoluar; kjo nuk është e vërtetë, por thuhet për t’i shpëtuar kritikës nga masa e Partisë dhe për të mos bërë autokritikë; po kështu lidhin dhe gjithë veprimtarinë e Koci Xoxes, por për të gjithë fajet e Koci Xoxes ka pasur dijeni dhe Enveri mbasi ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, prandaj dhe kësaj duhet t’i bëhet një analizë e thellë, se kjo nuk zënë vend sot që t’i ngarkohen të gjitha Kocit”. Duke folur për udhëheqjen e Partisë në tërësi, Tuku thotë: Me asnjë nga udhëheqja nuk mund të punohet. I duhet vënë fshesa gjithë byrosë që të rregullohet situata. Nuk mund t’ju falen fajet që kanë bërë. Duhet të vëmë njerëz të rinj në udhëheqje; nuk mund të punosh me Enver Hoxhën. Udhëheqja u korruptua duke u rrethuar me blloqe dhe me të mira. Është krijuar rreth tyre një situatë e rëndë”, shkruan Panorama.

Në lidhje me demokracinë dhe unitetin e partisë, si Tuku dhe Hulusiu thonë: “Demokracia e Partisë tonë nuk është e plotë, mbasi çdo AP-je nuk i lejohet të shtrojë ato mendime dhe që janë të vërteta. Kështu p.sh unë – thotë Tuku – ato që shtrova në Plenum janë të vërteta dhe ashtu i mendoja, kurse ‘ata’ karshi meje morën gjithë ato masa. Janë thyer normat leniniste të Partisë. E përjashtojnë Mitën nga Partia sikur e nxjerrë çifligari bujkun nga çifligu, kështu e përjashtoi. Shtypet Konferenca e Tiranës pse aty shokët bënë pyetje të drejta dhe kundër tyre merren masa deri në internim. Po kështu shprehet dhe Hulusi Spahiu. Edhe uniteti i partisë – thotë Tuku dhe Hulusiu – mungon, mbasi në Plenum nuk ka kritikë dhe autokritikë mbi të metat, sepse kanë frikë të kritikojnë shokët Enver dhe Mehmet”. Lidhur me ligjshmërinë socialiste ata thonë se ka pasur dhe ka shkelje, se Koci Xoxe nuk duhej pushkatuar dhe Njiazi Islami që vrau veten nuk ka qenë armik. Kurse për Sali Ormënin thonë se nuk ka vrarë veten, por e kanë vrarë “këta”. Për Dali Ndreun dhe Liri Gegën thonë u pushkatuan pa asnjë faj. Po kështu flasin edhe për masat që janë marrë ndaj njerëzve të tjerë të kësaj kategorie dhe se në këtë drejtim ka gabime të rënda dhe të pafalshme.

tuk2

Duke bërë fjalë për marrëdhëniet tona me Jugosllavinë, Tuku dhe Hulusiu thonë: “Marrëdhëniet tona me Jugosllavinë pengohen nga Mehmeti dhe Liri Belishova. Këta e akuzojnë Jugosllavinë se atje nuk ndërtohet socializmi dhe janë agjenturë, prandaj këto marrëdhënie duhen ndrequr se kështu e lyp situata”. Si Tuku dhe Hulusiu parashikojnë ndryshimin e situatës në Shqipëri dhe shqyrtimin e çështjeve të tyre. Këtë ndryshim ata e presin me ndërhyrjen e BS-së dhe përmirësimin e marrëdhënieve tona me Jugosllavinë. 3 “Në rast ndryshimi thotë Tuku – Enveri prapë do të manovrojë. Do të thotë se Mehmeti dhe Liria më kanë përgatitur të përmirësojë marrëdhëniet me Jugosllavinë, prandaj për të shpëtuar veten do t’i sakrifikoj ata”.

Enveri – thotë Ulusi Spahiu – do të qëndrojë pranë në udhëheqjen se e duan sovjetikët dhe populli. Kjo do lejohet se s’ka si të bëhet me një herë ndryshimi. Po të hiqet Mehmeti dhe Liria, vazhdon Hulusiu, Beqiri do të vihet Kryeministër, mbasi nuk është i përlyer me gabimet e Mehmetit”. Në lidhje me grupet antiparti Malenkov, Kaganovic, Molotov, Tuk Jakova thotë: “Edhe te ne ka dogmatizëm në udhëheqje. Udhëheqja e jonë nuk e do të renë. Kërkojnë vazhdimisht të udhëheqin të vjetërit”.

LEXO EDHE:  DOSSIER/ “Enveri i izoluar nga Nexhmija”, ish-anëtari i Byrosë Politike replikon me Liljana Hoxhën

Duke folur rreth artikullit të Enverit me rastin e revolucionit socialist të tetorit, Tuku ka thënë: “E bën artikullin se vjen Zhukovi. Këta janë vjetërsuar shumë dhe me këtë artikull i vunë një arnë gjithë veprimtarisë së tyre të gabuar”. Duke bërë fjalë për arratisjen e Panajot Plakut, Tuku thotë: “Panajoti bëri mirë që iku, po të mos ikte do të vuante si ne, bile edhe më keq. Arratisja e Panajotit i rrëzon shumë “këta” se ai dinte gjithçka. Panajoti i goditi rëndë sidomos ndihmën e BS-së dhe fitoret ekonomike që reklamonin ata”.

Lidhur me masën e marrë ndaj Sejfulla Malishovës dhe Ymer Dishnicës, Tuku dhe Hulusiu thanë se duke e marrë për bazë si punojnë shokët e Kinës, shumë çështje që ka shtruar Sejfullai po dalin të drejta, ndërsa Partia jonë akoma, sot mbas 11 vjetësh, i thotë armik dhe shërbëtorë i borgjezisë. Për Ymerin, Hulusiu thotë se vetë i thanë për të vepruar ashtu në Mukje, më pas morën masa dhe sot i thonë armik. Tuku dhe Hulusiu, gjendjen ekonmike të vendit e paraqesin të vështirë për arsye të drejtimit të lartë, të forcave të shumta të ministrisë së Brendshme dhe për mungesë kontrolli. Heqja e plotë e sistemit të trisktimit e konsiderojnë sukses, ndërsa standardi i jetës është shumë i ulët në krahasim me vitin 1938.

Thonë se kolektivizimi i bujqësisë nuk bëhet në baza vullentarizimi, por me forcë dhe nën udhëheqjen e KQPPSH-së, për kulakët nuk ka qenë i drejtë. Bedri Spahiu: Duke folur për shokun Enver, ai thotë: Çuditem si i mbeti udhëheqja e Partisë këtij njeriu. Në luftë nuk ka pas asnjë burrëri dhe po të mos ishin shokët jugosllavë, Partia jonë nuk do të figuronte fare.” Mbrapaskenën e Beratit Bedriu e quante të turpshme që u konsiderua e tillë. ” Atje -tha ai – kanë qenë shokët jugosllavë që na ndriçuan për formimin e një partie të vërtetë, ndërsa po të ishte për Enverin, do të ishte e zorshme të kishim parti, por do të ishte më mirë të mos kishim fare, sesa me një udhëheqje të tillë, që e kanë shpënë popullin në mjerim e fatkeqësi.

Mburren me disa vepra që kanë bërë, por nuk thonë të vërtetën sesa gjak e sakrifica i është dashur këtij vendi të bëjë këto vepra”. Në lidhje me Koci Xoxen, Bedriu thotë: “Ai shkoi viktimë e situatës së qelbur që krijuan rusët. Të ashtuquajtura letrat e ndritura, që ishin më të errëtat për Partinë tonë, të nënshkruara nga Stalini dhe Molotovi janë ato që shpunë Partinë tonë në një gjendje të skandalizuar. Enveri me shokët e tij ju nënshtruan Moskës:`pa turp shkruan për të këqijat për sh. Tito, i cili është një marksist i vërtetë, po këta në një pasqyrë të tillë panë fytyrën e tyre dhe ju vërsulën kundra gjithë shokëve që kishin guxim të flisnin të vërtetën e shokëve jugosllavë”.

LEXO EDHE:  Diktatori më i përfolur i të gjitha kohërave, ja sa e kishte rrogën Enver Hoxha

Duke bërë fjalë për goditjen e tij dhe të Tuk Jakovës, Bedru thotë: ” Goditem unë dhe Tuku se jemi guximtarë, ajo do duket se çfarë shpifje ju janë bërë jugosllavëve; u kërkua me këmbëngulje rehabilitimi i Koci Xoxes dhe shumë padrejtësi të tjera që janë bërë, por do të vi dita që këto padrejtësi do të dalin dhe do të dënohen shkaktarët. Jam i kënaqur që jugosllavët i kanë marrë vesh të gjitha dhe ia ka thënë Panajot Plaku, që duke qenë kundra vijës së shtrembër është arratisur.

Nga përpunimet të grupeve antiparti, si kryesore ndiqet: Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Nest Kerenxhit, Nexhmije Dume, Pëllumb Dishnica, Peco Fidhi, Gjovalin Luka, Tahir Kadaresë, Hulusi Spahiu, Abedin Shehu, Sejfulla Maleshova dhe Dhora Leka për të cilët shkurtimisht: 1. Tuk Jakova, përpunohet nga DPB-Berat, kategorizuar në 2/a më 13/VIII/1355 si element kundër partisë për revizjoniminë e Partisë. Në drejtim të tij kanë dhënë B.P “Luarasi”, “Filantropi”, “Vigjilenca”, “Nuredini”, “Besniku”. Ai ka zhvilluar veprimtari antiparti. Pretendon se është goditur padrejtësisht, gjendjen ekonomike të vendit e paraqet të vështirë, me shumë mungesa dhe papunësi. Ka folur mirë për elementin antiparti në Konferencën e Tiranës. Ka thënë se udhëheqja nuk bëri autokritikë në Kongresin e III të partisë. Ka thënë se gjendja do të ndryshojë kur të ndërhyjë BS-ja dhe Jugosllavia.

Ka ndjekur ngjarjet në Poloni dhe Hungari dhe ka thënë se ardhja e Gomulkës është fitore e madhe e proletariatit. Para internimit, Tuku ka pasur kontakte me Bedri Spahiun, Frano Jakovën, Ymer Dishnicën. Dhora Leka ka luajtur rolin e ndërlidhjes së Tukut dhe Jugosllavisë dhe Tukut e Bedri Spahiut. Si detyrë është që të shkojë Tuku tek objekti ku janë vendosur mjetet teknike dhe të bëjmë kombinacionin me Dhora Lekën dhe Bedri Spahiu. Përveç kësaj, u bë rekrutimi i agjentit “Tomorri”, i cili u dërgua në Berat për përpunimin e Tukut. 2. Bedri Spahiu nga Drejtoria e Përgjithshme e Elbasanit; kategorizuar në 2/A në korrik 1955 si element me pikëpamje të njëjta revizioniste me Tukun.

Është përpunuar me B.P “Dardha”, “Pylli”, “Letërsia”. Ai është shprehur se çështja e tij nuk është vlerësuar drejtë dhe se tezat e Tukut kanë qenë të drejta dhe po vërtetohen. Kur është pyetur nga Hulusi, Spahiu nëse ka për?5arje në KQ, ai është përgjigjur “nuk ka përçarje dhe as tërheqje, Enveri përpunon çdo vijë dhe jep tonin ndërsa Mehmeti revoltohet por nuk bën gjë”. Bedriu pret kohën që të rritet pakënaqësia për t’u hedhur në aktivitet të hapur kundër Partisë. 3. Jugosllavët kërkojnë adresën e saktë të Bedriut për të vendosur kontakte, prandaj del forcimi i përpunimit të tij, duke organizuar përgjimin e pandërprerë, koordinimin me Degën e I dhe Degën e III si dhe të jepet një ndihmë më e madhe nga qendra.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook