Vdekja e ish-kryeministri Mehmet Shehu 37 vite më parë, mbetet zyrtarisht një ngjarje misterioze. Në mungesë të provave kokëforta, dominon variant zyrtar i “vetëvrasjes” në kushtet e presionit psikologjik nga Enver Hoxha dhe të tjerët.

Por ekspertët, zyrtarët e kohës, dhe familjarët e Shehut, janë të bindur se Shehu u vra nga ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu me urdhër të Enver Hoxhës. Ky i fundit kishte zgjedhur si pasardhës të tij Ramiz Alinë, me të cilin mendonte se e linte në duar më të sigurta familjen e tij.

Rënia tragjike e Shehut, lidhet më shpesh fejesën e djalit të tij Skenderit me Silva Turdiun, vajzën e një familje me probleme në biografi. Por truproja i Shehut, Ali Çeno, thotë se raportet mes dy udhëheqësve të lartë komunistë ishin ftohur që më 1976.

Kulmi u shënua në marsin e vitit 1981, kur në Kosovë shqiptarët ishin ngritur në protesta kundër regjimit shtypës të Beogradit.

Çeno kujton një debat me tone të larta mes Shehut dhe Hoxhës në dalje të Komitetit Qëndror. Mehmeti kërkoi shpalljen e mobilizimin e përgjithshëm dhe nisjen e tankeve drejt veriut, në kufi me Jugosllavinë.

“Ne këtu nuk mund të rrimë duarkryq, kur atje vriten njerëz. Një mobilizim i përgjithshëm do të tërhiqte vëmendjen e Perëndimit, dhe problemi i Kosovës do të jetë më i lehtë për t’u zgjidhur. Po të na paraqitet nevoja, të fillojmë edhe luftën. Nuk kemi ç`presim më!’- tha Shehu. Por Enveri ju përgjigj po me ton të lartë:“Jo, këtë nuk mund ta bëjmë kurrë. S’mund ta prishim në një ditë atë që kemi ndërtuar për 40 vjet…“.