Ndryshimi i strukturës qeveritare pas zgjedhjeve të qershorit 2017 dhe riformatimi i zyrave të administratës qendrore sidomos, ka rritur në mënyrë dramatike shpenzimet për zyra dhe orenditë e tyre dhe për ripërshtatjen e ambienteve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për shpenzimet e 7-mujorit 2018 një shumë prej më shumë se 5 miliardë lekësh shkoi për orendi dhe pajisje zyrash, rikonstruksione godinash dhe përshtatje ambientesh. Kjo shumë sipas kursit mesatar të vitit 2018 është rreth 40 milionë euro dhe gati trefishi i shpenzimeve që u bënë për këtë qëllim një vit më parë.

Të dhënat u përpunuan nga ‘Monitor’, në data bazën e shpenzimeve që Ministria e Financave ka publikuar për 7- mujorin. Por shpenzimet për fasada, rikonstruksione dhe orendi zyrash janë më të mëdha pasi ato janë shpërndarë në listën e shpenzimeve me emërtime të ndryshme. Por një sistem filtrimi mbi zërat kryesore nxori se, shpenzimet për periudhën 5-mujore janë rreth 40 milionë euro, të barazvlefshme për ndërtimin një spitali rajonal me kushte moderne.

Qeveritë shqiptare ndër vite kanë shfaqur simptoma të rënda në menaxhimin e shpenzimeve publike. Pa prioritete të qarta të zhvillimit të qëndrueshëm, taksat e shqiptarëve zbrazen në projekte jo efeciente. Ndërrimi i destinacionit të një strukture të qeverisë për më shumë se tre herë në katër vite ka krijuar kosto të panevojshme në buxhet.

LEXO EDHE:  Rama 2/ Kryeministri përgatit qeverinë e re, ja skema e re që do përdoret në këtë 4 vjeçar

Të ardhurat buxhetore kanë shënuar rritje konstante nga viti në vit, teksa nga ana tjetër rishpërndarja e tyre është copëzuar në projekte që nuk sjellin zhvillim. Rrogat dhe pensionet vetëm sa janë indeksuar me inflacionin dhe produktet e mëdha të investimeve mungojnë.

Institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore në studimet të posaçme kanë vënë disa herë në dukje mungesën e eficencës së investimeve.

Vetëkontrollet e qeverisë në entet e saj nëpërmjet njësive të auditit të brendshëm kanë zbuluar 7,8 miliardë lekë (58 milionë euro) shpërdorime nga kontrollet e ushtruara gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Ministria e Financave për vitin 2017.

Drejtoria e Auditit në Ministrinë e Financave vëren se janë konstatuar 6286 raste të shkeljeve, për të cilat vlera e dëmeve llogaritet në 7.8 miliardë lekë./Monitor.