Nis lirimi i hapësirave publike në plazhin e Durrësit.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që detyron ndarjen e plazheve, 80% stacione private dhe 20% publike, Task Forca e Turizmit, në bashkëpunim me prefekturën e qarkut ka ndërhyrë mëngjesin e sotëm për heqjen e çadrave në vijën e parë të plazhit tek Ura e Dajlanit, e cila nga sot i është rikthyer pushuesve për tu shfrytëzuar si plazh publik.

(Në foto vërehet edhe vendosja e tabelës, që sinjalizon që kjo zonë plazhi do të mund të shfrytëzohet pa pagesë nga pushues, që duan të vendosin çadrat e tyre personale në rërë). Në bashkëpunim me policinë bashkiake, ka nisur edhe aksioni për lirimin e hapësirave të plazheve nga shitësit ambulantë, problematikë vazhdimisht e denoncuar nga qytetarë dhe pushues.

Task Forca e Turizmit, e ngritur me urdhër të ministrit Blendi Klosi do të vijojë aksionin pa ndërprerje, për të garantuar: Ndarjen e plazheve sipas VKM-së për “Stacionet e Plazhit”, Garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve; Ofrimin e shërbimeve të certifikuara, duke punësuar vrojtues të trajnuar; Sigurimin e higjienës në strukturat akomoduese dhe të qetësisë në plazhet publike dhe private.

Task Forca e Turizmit, e ngritur me urdhër të ministrit Klosi ka nisur punën në terren më datë 24 qershor dhe do të vijojë deri më datë 20 korrik, për të verifikuar kushtet e ligjshmërisë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe bregliqenore, në vend, nga veriu në jug, për sezon turistik më të mirë dhe më të sigurtë se paraardhësi.