Dy raketa Katyusha goditën të Mërkurën vonë  Zonën e Gjelbër të kryeqytetit Irakian, enklavën e sigurisë së lartë ku bazohen ambasadat e huaja përfshirë misionin amerikan, sipas burimeve të sigurisë.

Sulmi erdhi gati 24 orë pasi Teherani nisi të lëshojë raketa balistike në bazat irakiane që strehojnë forca amerikane dhe koalicionit që udhëheq SH.B.A,  në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gjeneralit të lartë iranian Qassem Soleimani.

Pak para mesnatës, dy shpërthime me zë të lartë u dëgjuan në Bagdad, të ndjekura nga sirenat e sigurimit të zhurmshëm të Zonës së Gjelbër.

Ushtria e Irakut tha se raketat nuk shkaktuan viktima. Nuk janë dhënë detaje të tjera mbi sulmin.

Tensionet në rritje mes Iranit dhe SH.B.A-ve nuk iu ka shpëtuar edhe vendi ynë.

Lideri suprem iranian, Ali Kamenei e quajti sot  Shqipërinë “një vend të vogël por të djallëzuar” ku takohen “elemente amerikane me tradhëtarët e Iranit”.

Por pas kësaj deklarate të tij, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është pjesë e koalicionit të madh dhe aleate strategjike e SHBA, por shtoi se vendi ynë në këtë koalicion nuk kontribuon “me bomba dhe raketa”.

“Nuk jam fare i surprizuar nga deklarata në fjalë, Shqipëria ka bërë atë që duhet në respekt të traditës së saj, në respekt të faktit që jemi aleatë strategjikë të SHBA-ve, por nuk jemi kontributor në këtë aleancë të gjerë me raketa e bomba, por jemi kontributorë përmes një operacioni humanitar për të ofruar ndihmë ndaj një grupi njerëzish të kërcënuar nga regjimi diktatorial”.

“U them të gjithë qytetarëve shqiptarë se nuk ka asnjë rrezik të veçantë në këtë moment. Dhe e përsëris se Shtetet e Bashkuara janë shumë të vëmendshme”, deklaroi Rama./NOA.al