Ditën e sotme është bërë i ditur vendimi i Prokurorisë për shtyerjen me 3 muaj sërish të hetimeve për ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të zgjasë edhe me tre muaj afatet e hetimit për ish ministrin.  Kjo prokurori vijon të jetë në pritje të dy letërporosive nga Mali i Zi dhe Katania.

Vonesa e përgjigjeve për dy letërporosi të nisura në Itali, në Katania, e Mal të Zi detyruan prokurorët e çështjes “Tahiri” të shtyjnë edhe me 3 muaj afatin e hetimeve për ish-ministrin e Brendshëm.

Afati zyrtarisht përfundon ditën e nesërme, por prokurorët e çështjes në mbledhjen e zhvilluar, kanë vendosur të shtyjnë sërish afatin me tre muaj, deri në prill të këtij viti.

Vetë ish-ministri në një dalje të tij publike pak kohë më parë ka kërkuar nga Prokuroria përfundimin sa më parë të hetimeve, madje duke shtuar dhe numrin e prokurorëv të çështjes.

Ndërkohë një javë me parë grupi i prokurorëve  vendosi ndarjen e dosjes dhe dërgimin në gjyq  për 9- të të pandehur, mes te cilave edhe Habilajt për katër akuza.

Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë. Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre.