Pas ndryshimeve në qeveri , kryeministri Rama publikoi një foto me ministrat e rinj dhe ato të shkarkuar.

Nga fotoja e publikuar në rrjetet sociale duket se të gjithë ministrat dhe kryeministri janë ulur në një tryezë të rrumbullakët.

Shtatë ministrat e rinj të qeverisë “Rama 2” vijnë kryesisht nga administrata shtetërore.

Besa Shahini do të jetë ministrja e Arsimit. Pjesë e kabinetit do të jenë dy shqiptare të Kosovës, Besa Shahini dhe Genti Cakaj.  Shahini u emërua zëvendës ministre në vitin 2017. Deri në verë 2015, ka punuar si analiste me oganizatën me bazë në Berlin, Inciativa Europiane për Stabilitet.  

 Ndërsa Genti Cakaj do të jetë ministër i Jashtëm. Ish-zëvendës ministri i këtij dikasteri ka mbuluar çështjet e integrimit europian të vendit, ndërsa merr detyrën në një moment të rëndësishëm diplomatik.

Financat do t’i besohen Anila Denajt, që më parë ka mbajtur postin e drejtores së Fondit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor. Më herët ajo ka qenë anëtare e bordit të AKEP. Një tjetër ministri që pësoi rrokadë është edhe ajo e Energjisë dhe Infrastrukturës. Ky dikaster do të udhëhiqet nga Belinda Balluku, drejtorja aktuale e Albkontrollit. Ministrinë e Kulturës do ta drejtojë Elva Margariti, me profesion arkitekte. Margariti ka studiuar në Firence të Italisë, ndërsa me kthimin në Shqipëri ka mbajtur edhe detyrën e Këshilltares pranë Kryeministrit Edi Rama. Më herët ajo ka qenë koordinatorja Kombëtare e Programit “100 Fshatra”.

LEXO EDHE:  Rama: Në platformën e bashkëqeverisjes do të ketë një dritare të veçntë për studentët

Eduard Shalsi pason në detyrë Sonila Qaton në ministrinë për Sipërmarrjen, Deputet aktiv, dhe aktualisht mban postin e kryetarit të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Shalsi ka detyrën e vështirë për të përmirësuar qasjen e sipërmarrjes me shtetin. Ndërkohë, timonin e ministrisë së Bujqësisë do ta marrë Bledi Çuçi. Ky i fundit është bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërsa ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në ndarjen administrative-territoriale.

Elisa Spiropali, rikthehet në post të rëndësishëm. Për më pak se dy viteve ajo ka mbajtur postin e Drejtores së Përgjithshme të Doganave, dhe është emëruar ministre për marrëdhëniet me parlamentin.