Dielli, Toka e Hëna do të rreshtohen në vijë të drejtë sot në mbrëmje, për të dhuruar një spektakël të rrallë, eklipsin e Hënës më të gjatë të shekullit, plot 1 orë 42 minuta e 56 sekonda.

Planeti ynë do të vendoset midis Diellit e satelitit të vet, duke e lënë atë plotësisht në hije gjatë kësaj kohe. Para dhe pas errësirës së plotë, do të ketë edhe faza me hije të pjesëshme të Tokës mbi Hënë.

Hëna do të jetë në apogjeun e saj, domethënë në largësinë më të madhe nga Toka, 406 223 kilometra, të matur nga qendra e secilit prej dy trupave qiellorë. Kjo bën që – diametri në dukje i Hënës është 14% më i vogël nga ai që shohim në afërsinë maksimale nga Toka, që quhet perigjeu – shpejtësia e saj orbitale është më e vogël – koni i hijes së krijuar nga Toka është më i madh.

Të gjithë së bashku, këta elementë prodhojnë kohëzgjatjen e eklipsit, në praktikë Hënës i duhet më tepër kohë për të kaluar hijen e Tokës.

Kur dhe ku mund ta shohim

Eklipsi i Hënës do të jetë plotësisht i dukshëm nga Shqipëria, nëse qielli do të jetë i pastër. Faza e hijes totale nis në orën 21:30 dhe përfundon në 23:13, ndërkohë që para e pas kësaj ore do të jetë edhe hija e pjesëshme, me një kohëzgjatje nga fillimi në fund 5 orë 32 minuta e 32 sekonda. Mos e humbisni rastin, nëse retë na lejojnë, dilni e shihni spektaklin e Hënës së Përgjakur

LEXO EDHE:  Dalin pamjet/ Ja si dukej Toka 2.4 miliardë vite me parë (Video)

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook