Ballina Ekonomi Euro zbret sërish në nivelin më të ulët në 10 vite, eksportuesit...

Euro zbret sërish në nivelin më të ulët në 10 vite, eksportuesit në panik

Monedha e përbashkët ka vijuar tendencën rënëse edhe gjatë ditës së sotme, duke arritur sërish në nivelin më të ulët në 10 vite, që nga shkurti i vitit 2009.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 126.89 lekë, me rënie prej 0.15 lekësh në krahasim me një ditë më parë, ndonëse në bursa monedha e përbashkët u forcua.

Sot ka rënë edhe dollari dhe pjesa më e madhe e monedhave të shportës, një tregues ky se leku është i fortë. Një dollar u këmbye me 107.38 lekë, me një rënie të fortë prej 0.77 lekësh në krahasim me një ditë më parë dhe duke iu larguar nivelit më të ulët që nga janari I këtij viti, që u arrit dje.

Në bursat ndërkombëtare, euro e ka marrë veten pas pesë javësh radhazhi me rënie, duke u këmbyer me 1.18 dollarë, teksa tregjet po presin të shohin nëse ngadalësimi i tremujorit të parë të eurozonës është shtrirë dhe në muajt në vijim.

Ekspertët pohojnë se arsyeja kryesore e euros së dobët lidhet me ofertën e lartë për valutë në tregun e brendshëm, përballë kërkesës së dobët.

Faktorët mbeten të njëjtë, burimet nga ekonomia informale, që po kanalizohen përmes ndërtimit, të ardhurat nga turistët që këtë vit pritet të jenë më të shumë në numër dhe faktorët e zakonshëm si eksportet, remitancat, pagesat e taksave nga bizneset që i kanë të ardhurat në euro, etj. Së fundmi është shtuar dhe fluksi i turistëve, një faktor që ka rritur ofertën në valutë.

Në krahasim me fillimin e këtij viti, euro ka rënë me 6.5 lekë, ose me 5.1%. Kjo rënie e fortë ka shqetësuar eksportuesit, të cilat kanë dalë vazhdimisht deklarata për të raportuar humbjet që po pësojnë dhe kërkojnë që të gjenden shkaqet e forcimit të monedhës, që sipas tyre është i pazakontë. /Monitor

LEXO EDHE:  Akuzat për lidhje ruse të PD, flet Panariti: Është thjesht një luftë politike

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook