Ballina Ekonomi “Fluturojnë” 2.7 miliardë euro, ja mallrat që i blejmë dhe i shesim...

“Fluturojnë” 2.7 miliardë euro, ja mallrat që i blejmë dhe i shesim botës dhe shtetet

Shqiptarët kanë blerë nga shtetet e Europës dhe vendet të tjera të botës rreth 4.7 miliardë euro mallra në vitin 2017, sipas të dhënave që u bënë publike nga INSTAT në raportin e tregtisë së jashtme.

Ndërsa u kemi shitur këtyre shteteve shumë më pak, rreth 2 miliardë euro mallra. Si rrjedhojë, kanë dalë neto nga vendi 2.7 miliardë euro (diferenca mes eksporteve dhe importeve), shumë që është e barabartë me 24% të asaj që prodhon ekonomia shqiptare në një vit (prodhimi i brendshëm bruto).

Eksportet

Nga mallrat që Shqipëria eksporton jashtë, peshën kryesore e zënë tekstilet e këpucët, me 43%, që në fakt janë rieksporte (kompanitë shqiptare realizojnë vetëm disa procese, sidomos në tekstile), duke pasur një vlerë të ulët të shtuar. Grupi i dytë janë “materialet e ndërtimit dhe metalet”, me 16%, të ndjekura nga “minerale, lëndë djegëse, energji”, me 15.8%, “ushqime, pije e duhan” me 11%, “makineri, pajisje e pjesë këmbimi” me 5.5%, e të tjera me peshë më të vogël se 3% ndaj totalit.

Shteti kryesor drejt të cilit eksportojmë është Italia, drejt të cilit çojmë më shumë se gjysmën e produkteve tona (53.4%), ku pjesën më të madhe e zënë tekstilet dhe këpucët. Varësia e lartë që ne kemi me Italinë e lë vendin tonë të brishtë ndaj zhvillimeve apo krizave të mundshme në shtetin fqinjë.

Në vend të dytë është Kosova, të cilët i çojmë 7.6% të eksporteve, e ndjekur nga Spanja me 7.7%, Greqia me 4.2% dhe Gjermania me 4%. Drejt shteteve të tjera mallrat e prodhuara në Shqipëri shiten shumë pak.

Importet

Grupi, që zë peshën kryesore të importeve është ai i “makinerive, pajisjeve dhe pjesëve të këmbimit”, me 21% të totalit. Ky grup ka ardhur në rritje vitet e fundit edhe për shkak të projekteve të mëdha si TAP dhe Devolli, të cilat kanë pasur importe masive. Si për ironi, në një vend që ka peshën e bujqësisë ndaj ekonomisë (PBB) më të lartën në Europë, me rreth 20%, “pijet, ushqimet dhe duhani” përbëjnë grupin e dytë më të madh të importuar, me 17% të totalit. Në 2017-n, shqiptarët kanë shpenzuar për të blerë ushqime, pije e duhan nga jashtë rreth 800 milionë euro.

LEXO EDHE:  Njihuni me 50 kuriozitet më të mëdha të botës

Grupi i tretë janë “tekstilet dhe këpucët”, me 14% të totalit, por që janë të lidhura në pjesën më të madhe me eksportet e po këtij grupi, teksa janë lënë e parë për industrinë e fasonerisë, shkruan monitor. Më pas renditen  “Produkte kimike dhe plastike”, me 14% të totalit, “Materiale ndërtimi dhe metale”, me 12%, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, 11%.

Gjeografia e importeve është shumë më e larmishme sesa ajo e eksporteve.

Shteti kryesor nga i cili blejmë mallra mbetet sërish Italia, por me një peshë shumë më të ulët, prej 28.6% të totalit. Në vend të dytë është Turqia, me 8.1% të totalit. Nga Gjermania, Kina, Turqia importojmë përkatësisht nga rreth 8% të totalit të mallrave.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook