Ballina Ekonomi Fondi i Kompensimit, AMF kërkon auditim ndërkombëtar për dëmet nga 2001 deri...

Fondi i Kompensimit, AMF kërkon auditim ndërkombëtar për dëmet nga 2001 deri më dhjetor 2017

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i ka kërkuar Byrosë Shqiptare të Sigurimeve që të kontraktojë një auditues ndërkombëtar që do të auditojë situatën e dëmeve, objekt i Fondit të Kompensimit në 17 vite.

Kërkesa vjen për të disatën herë ndërkohe që sipas AMF nga ana e asamblesë së Byrosë nuk është marrë ainiciativa për të përzgjedhur audituesin.

“Autoriteti në funksion të mbikëqyrjes së BSHS, referuar pikës 8 të nenit 42, të Ligjit nr. 10076, datë 12.02.2009 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i ndryshuar, me qëllim përcaktimin e saktë të detyrimeve të BSHS ndër vite, duke filluar nga viti 2001 e në vazhdim, si dhe detyrimet për ngjarjet pas 1 janar 2014 e në vazhdim, konsideron të nevojshëm përzgjedhjen nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të BSHS, e një shoqërie auditimi ndërkombëtare. Kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme nga ana e Autoritetit, e cila nuk është realizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve të BSHS-së”, nënvizon AMF.

Referuar pikave të vendimit përcaktohet se Byroja duhet të ketë përzgjedhur brenda janarit të këtij viti audituesin ndërkombëtar i cili do të ketë në objekt të punës së tij: verifikimin e gjendjes së databazës për dëmet e paguara dhe dëmet e papaguara në 31.12.2017, si për dëmet me datë ngjarjeje deri në datën 31.12.2013 ashtu edhe për dëmet me datë ngjarjeje pas datës 01.01.2014.

Po kështu përcaktimi i saktë i detyrimeve që lidhen me dëmet e papaguara, për dëmet me datë ngjarjeje sigurimi deri në datën 31.12.2013 si dhe detyrimeve që lidhen me dëmet e papaguara, për dëmet me datë ngjarjeje sigurimi pas datës 01.01.2014;

Audituesi ndërkombëtar duhet të kryejë edhe një analizë për faktorët e rritjes së vlerës së dëmeve të ndodhura (të paguara dhe të papaguara) në 31.12.2017 krahasuar me gjendjen në datën 31.12.2013 duke u fokusuar edhe në dëmet në proces gjyqësor si dëme me vlera të larta.

LEXO EDHE:  Durrës/ 58-vjeçari gjendet i pajetë në banesë, ja dyshimi i policisë...

AMF nënvizon se ka nevojë për të bërë një rakordim mes dëmeve të paguara dhe nëse ato mbeten ende në bazën e të dhënave.

Fondi i Kompensimit është bërë herë pas here objekt debate mes AMF dhe Byrosë por që palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Dëmet e papaguara mbeten ende në një nivel shqetësues. Edhe pse këto dëme ju nënshtruan një plani tre vjeçar për shlyerjen e tyre që duhet të ishte mbyllur vitin e kaluar, në fund u vendos që afati të shtyhej edhe me dy vite të tjera. /monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook