Ballina Ekonomi Forumi Ekonomik Botëror jep alarmin: Pabarazia dhe varfëria në Shqipëri janë rritur...

Forumi Ekonomik Botëror jep alarmin: Pabarazia dhe varfëria në Shqipëri janë rritur në 5 vitet e fundit

Pabarazia dhe varfëria janë rritur në Shqipëri gjatë vitit 2017 sipas raportit të Forumit Ekonomik Botëror “Rritja gjithëpërfshirëse dhe raporti i zhvillimit” për 2018.

Pabarazia neto e të ardhurave i cilësuar ndryshe si treguesi GINI ka pësuar rritje me 7.7 për qind, në pesë vitet e fundit sipas raportit.

Koeficienti Gini në Shqipëri ka arritur në 38.4. Ky indeks tregon masën në të cilën shpërndarja neto e të ardhurave (pas taksave dhe pas transfertave) midis individëve dhe familjarëve në një ekonomi devijon nga një shpërndarje e barabartë e përkryer. Një indeks Gini prej 0 nënkupton një barazi të përkryer dhe një indeks prej 100 implikon një pabarazi të përkryer. Kjo do të thotë që rritja me 7.7% e këtij treguesi në Shqipëri përgjatë pesë viteve të fundit është indikator i rritjes së pabarazisë në vend.

Forumi raporton gjithashtu se varfëria ka ardhur në rritje. Sipas raportit, shqiptarët që jetojnë në varfëri u rriten me 0.7 për qind dhe norma e varfërisë ka arritur në 6.8%. Për vendet në zhvillim, ky tregues llogaritet si përqindja e popullsisë që jeton më pak se 3.1 dollarë në ditë.

Në rënie është edhe treguesi i të ardhurave mesatare ditore për frymë me 0.1%. Në përmirësim është vetëm treguesi i pabarazisë së pasurisë, që është zvogëluar me 1.8%.

Thellimi i pabarazisë në vend është konfirmuar më herët edhe nga statistikat kombëtare.

Sipas të dhënave nga Anketa e Buxhetit të Familjes për vitin 2016, publikuar nga Instituti i Statistikave verifikohet tendenca ku të pasurit janë pasuruar edhe më shumë, kurse të varfrit kanë vijuar në ekstremin tjetër.

LEXO EDHE:  Rekordi, Shqipëria kalon e para në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banor

Sipas kësaj ankete rreth 90% e familjeve shpenzojnë 78.3% të vlerës së konsumit gjithsej, me një mesatare të shpenzimeve për konsum prej 63.609 Lekë në muaj. Nga ana tjetër 10 % e familjeve shpenzon 21,7 % të konsumit gjithsej, me një shpenzim mesatar prej 158.946 Lekë në muaj.

Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare për konsum të 10 % të NJEF me shpenzime më të larta janë 2,5 herë më shumë se ato të 90 % tjetër më të varfër.

Konsumi për frymë, i 90 % të familjeve me shpenzimet më të ulëta është mesatarisht 18.119 Lekë në muaj, ndërsa 10 % i familjeve me shpenzimet më të larta, është mesatarisht 62.562 Lekë në muaj për frymë.

Në raportin e Forumit Botëror në renditjen e vendeve në zhvillim, në treguesin e përgjithshëm Shqipëria është në në vend të 28 nga 74 shtete, duke qenë pas Maqedonisë (25), por duke ia kaluar Serbisë. Shqipëria ka marrë 4.08 pike, ku 1 është vlerësimi më i dobët dhe 7 më i larti. Më mirë nga vendet në zhvillim është Lituania dhe në fund është Mozambiku.

Shtyllat ku Shqipëria ka rezultatin më të keq janë ndërmjetësimi financiar me 2.89 pikë, si rrjedhojë e ndërmjetësimit të ulët të bizneseve. Shtylla e dytë, ku Shqipëria ka performancë të dobët është transferta fiskale, me të dy nëntreguesit, kodi i taksave dhe mbrojtja sociale. I treti është korrupsioni dhe pagesat, me 3.27 pikë, ku nëntreguesi më negativ është ai i përqendrimit të pagesave. /Monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook